Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBAShK) kanë nënshkruar marrëveshjen për kontratën e re kolektive. Ministri Arsim Bajrami ka thënë se me këtë kontratë kolektive mësimdhënësit do të jenë të respektuar nga shteti, ndërsa ka thënë se rritja e pagave do të bëhet në bazë të rritjes së cilësisë.
Bajrami ka treguar se për respektimin e kontratës kolektive përgjegjëse do të jenë edhe komunat në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, raporton Ekonomia Online.
“Kjo Kontratë parasheh obligimet e shtetit të Kosovës, obligimet e të gjitha komunave të Kosovës që të kujdesen që mësimdhënësit të kenë një pozitë adekuate materiale, që ata të stimulohen për të ngritur cilësinë, sepse rruga për ta ngritur cilësinë në arsim shkon përmes mësimdhënësve të përgatitur”, tha ministri Bajrami, ndërsa foli edhe për bazën ligjore që po përgatitet dhe po vazhdon të përmirësohet në të mirë të ngritjes së cilësisë në arsim, por edhe avancimin e pozitës së mësimdhënësve.
Ai ka thënë se kanë obligim para shoqërisë që të rritet cilësia në arsim i cili është shumë i rëndësishëm për të ngritur shpresën e të rinjve të Kosovës.
“Kontrata ofron një kornizë të gjerë të bashkëpunimit, jo vetëm në misionin klasik të Sindikatës që e ka çdo shtet, por edhe në një rol të ri përtej misionit, pra bëhet partner për stimulimin e mësimdhënësve, për ngritjen në karrierë, për zhvillim profesional dhe për vlerësim të performancës”, tha ministri Bajrami, ndërsa në këtë drejtim theksoi edhe faktin se Sindikata tash e tutje, ndër të tjera, do të monitorojë procesin e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave, në mënyrë që të minimizohet ndikimi politik në këtë proces.
Në anën tjetër i pari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë se e veçanta e kontratës është se përveç mësimdhënësve parauniversitarë, kjo do të vlejë edhe për profesorët universitarë. Ai ka shtuar se së bashku më ministrinë do të mundohen të ngritin cilësinë në arsim.
“Ministri Bajrami dhe MAShT do të na ketë në krah në angazhimet për ngritjen e cilësisë, krahas angazhimeve për ngritjen e mirëqenies së arsimtarëve”, tha ai.
Kontrata e re Kolektive e arsimit në Kosovë përcakton të drejta të posaçme dhe obligimet e të punësuarve në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar dhe atij universitar, të drejtat dhe obligimet e punëdhënësit, si dhe të drejtat dhe obligimet e palëve nënshkruese.