Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me Drejtorin e Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, në prezencën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, si dhe zëvendëses së lartë të Ndihmës-Administratorit të USAID-it nga Byroja për Evropë dhe Euroazi, Margot Ellis, sot kanë nënshkruar amendamentin e 7-të të Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimore.
Me nënshkrimin e këtij amandamenti, Kosova përfiton një shumë shtesë prej rreth 27 milionë dollarë, duke bërë kështu që shuma totale e grantit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën të arrijë në mbi 130 milionë dollarë.
Duke folur për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, presidenti Thaçi theksoi se ky është vërtetim i partneritetit që kemi me SHBA-në në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës, veçanërisht në përmirësimin e sundimit të ligjit, qeverisjes, si dhe në shtimin e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës në sektorin privat.
“I jemi mirënjohës administratës amerikane dhe tërë popullit amerikan për mbështetjen e vazhdueshme vëllazërore për popullin e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kurse, ambasadori Delawie tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vjen si përkushtim i vazhdueshëm për të ndihmuar Kosovën që të adresojë sfidat zhvillimore dhe progresin drejt një të ardhme më të qëndrueshme evropiane.
“Ne po e ndihmojnë Kosovën që të intensifikojë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të hiqen pengesat ndaj zhvillimit ekonomik, si dhe të rritet besimi i qytetarëve në institucionet demokratike të Kosovës. Zhvillimi i qëndrueshëm ishte tema kyçe e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë vit. Dhe është e duhur që ta përmbyllim ngjarjen e sotme, duke u zotuar të gjithë së bashku për të përmbushur objektivat zhvillimore të Kosovës përmes një partneriteti dhe bashkëpunimi efektiv dhe pune të palodhshme”, ka thënë ambasadori Delawie.
Amendamenti i 7-të i Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimore është vazhdimësi e amendamenteve të marrëveshjes bazë, të nënshkruar më 9 tetor 2013, në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Bazuar në këtë marrëveshje, Kosova është përfituese në realizimin e tri objektivave zhvillimore. Objektiva e parë është përmirësimi i sundimit të ligjit dhe qeverisja që i plotëson nevojat e qytetarëve, e dytë është shtimi i investimeve dhe krijimi i punësimit në sektorin privat, kurse e treta është dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.