Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi lidhur me krijimin e një linje nga Prishtina deri në aeroport.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se kjo linjë do lehtësoj jetën e qytetarëve në mënyrë që tu krijoj më pak shpenzime atyre, raporton Ekonomia Online.
“Qe një kohë e kemi nisur një diskutim për linjën e autobusit nga qyteti në aeroportin e Prishtinës. Kemi arrit marrëveshje që ne si komunë përmes trafikut urban ta kryejmë këtë shërbim dhe pas kësaj marrëveshje do ta formojmë një komision që do të vendos për çmimin dhe sigurisht do të jetë me i lirë se me taksi”, ka thënë Ahmeti.
Lidhur me ndërtimin e rrugës A, ai tha se për shkak të gjatësisë së rrugës kjo pritet të zgjat rreth 18 muaj.
“Kjo rrugë do të bëhet për 18 muaj, ne në rishikim të buxhetit do të shtojmë fonde nëse procesi shkon më shpejt se sa që është planifikuar”, tha ai, raporton EO.
Ministri i infrastrukturës Pal Lekaj tha se kjo linjë do të jetë në favor të qytetarëve të Prishtinës.
“Ky nënshkrim i sotëm shkon në favor të qytetarëve dhe unë e falënderoj Ahmetin që ka pranuar që sot ta firmosim marrëveshjen dhe të kemi linjë të rregullt. Ne kemi shpall një interes publik, por kompanitë nuk kanë qenë shumë të interesuara. Me dakordancë me kryetarin Ahmeti sot u nënshkrua”, tha ai.
Ai tha se MI ka nda 2 milionë euro për ndërtimin e kësaj rruge.
“Ne sapo u dakorduam me kryetarin që ne të ndajmë 2 milion euro. Me siguri qe kjo rrugë kushton më shtrenjtë, diku rreth 10 milionë, mirëpo sa i përket edhe unazës kemi bashkëpunim me kryetarin Ahmeti.
Ndërtimi i rrugës A pritet të fillojë në këtë vit dhe të përfundojë në vitin 2020-të.
Kjo rrugë lidh lagjen Kalabria me Lagjen e Spitalit.