Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka njoftuar për nënshkrimin e marrëveshjes mes Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatës Supreme.
Sipas tij, kjo marrëveshje do të ndihmojë në reformat në sistemet e drejtësisë në vend.
Ky është njoftimi i plotë i Sallahut:
Sot, ministrja Albulena Haxhiu, bashkë me kryesuesin e KGJK-së, Albert Zogaj dhe kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Peci, nënshkruan zotimin për ndërmarrjen e veprimeve përkatëse nga të trija këto institucione, për përgatitjen infrastrukturore me qëllim mundësimin e reformave në sferat e: Kodit të Procedurës Civile (përmes të cilit lehtësohet realizimi i të drejtave subjektive, civile dhe private të qytetarëve); Sistemin e Drejtësisë Administrative (që do të pasohet edhe me themelimin e Gjykatës Administrative) dhe në Dhomën e Posaçme për procesin e privatizimit (që ndihmon në zgjidhjen e lëndëve në vlerë mbi 400 milionë euro e të cilat direkt do të futen për qarkullim në ekonominë e vendit pas zhbllokimit që do ta kenë nga reformat përditësuese) nën juridiksion të Gjykatës Supreme.
Vazhdimisht po angazhohemi për reformim të të gjitha hallkave të sistemit të drejtësisë, në mënyrë që atë ta bëjmë sa më efikas, funksional dhe meritor.