Nënshkruhet Memorandum për mbështetje financiare për studentët ashkali, egjiptian dhe rom

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 14:30 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë nënshkruar sot Memorandumin e Bashkëpunimit për ofrimin e mbështetjes financiare për studentët e komuniteteve ashkali, egjiptian dhe rom, të cilët studiojnë në universitetet publike në Kosovë.

“Qëllimi i këtij Memorandumi është promovimi i edukimit te këto komunitete, nxitja në zhvillim akademik, krijimi i mundësive që studentët të mos i ndërpresin studimet për shkak të kushteve të vështira materiale, si dhe krijimi i brezave të rinj të mësimdhënësve dhe ligjëruesve nga radhët e komuniteteve”, thuhet në komunikatën për media.

Ministri Krasniqi tha se kjo përkrahje financiare do të ndikojë në rritjen e nivelit arsimor të këtyre komuniteteve, ndërsa tha se për informim rreth kësaj mundësie duhet të punohet bashkë me shoqërinë civile, shkollat dhe komunat.

Ndërkohë, Ministrja Nagavci, pasi theksoi rëndësinë e mbështetjes financiare për studentët e këtyre komuniteteve, përmendi edhe mbështetjen që po jep Ministria për Qendrat mësimore me bazë në shkollë dhe me bazë në komunitet, si dhe bursat që ndahen për nxënësit e shkollave të mesme për komunitetet ashkali, egjiptian dhe rom.

Të ngjashme