Është nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare me kompaninë Fingermarket Corporation për digjitalizimin e Bizneseve Shqiptare të Diasporës.
Nazar Mehmeti, president i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, tha se ideja e krijimit të memorandumit është bashkëpunimi në mes bizneseve shqiptare, raporton Ekonomia Online.
“Këto biseda kanë filluar para dy-tri vjetëve. Platforma “Fingermarket” është zhvilluar në Amerikë. Kur filluam së bashku, bisedat e para u bënë për ndërtim, mirëpo pastaj kaluam në digjitalizim. Para disa viteve nuk kishim biznesmenë shqiptarë që bashkëpunonin me njëri-tjetrin, por sot kemi shumë të tillë. Kur e filluam shoqatën, qëllimi më i madh ishte të hapnim punë në trevat shqiptare. Ideja është që këtu të prodhohet dhe të shitet në Amerikë”, tha ai.
Drejtori gjeneral i FingerMarket.com, Mentor Pllana, tha se Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare është Perëndimi që flet shqip, ishte shpresa jonë për liri ndërsa tani burim i fuqishëm financiar për investime dhe ekonomi. Për herë të parë do të kemi një treg online mbarëkombëtar pa kufij tradicionalë, ku do të promovohen dhe rrjetëzohen në kohë reale profesionistët dhe bizneset në të gjitha trevat tona dhe diasporën shqiptare në mbi 25 shtete të botës.
Një treg që përdor teknologjinë për të lidhur njerëzit apo organizatat përbëhet nga tri shtresa, platforma digjitale 3.0, fondi për investime 3.0 dhe fondacioni 3.0.
Ismet Ismajli, sekretar i përgjithshëm i RR.B.D.Sh.-së, tha se qëllimi i vizitës është nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit të rrjetit të bizneseve dhe kompanisë “Fingermarket”.
“Është e rëndësishme për ne që është bërë një hulumtim i kësaj kompanie dhe kemi krijuar një besim që do të merret me grumbullimin e kësaj baze. Kjo është bërë që të ketë një gjithpërfshirje të bizneseve shqiptare dhe përmes kësaj do të shkurtohet koha dhe shpenzimet sepse do të bëhen përmes mënyrës digjitale.
Diedon Kica, drejtor komercial i kompanisë Fingermarket, tha se përmes digjitalizimit bizneset do të kenë mundësi të operojnë më mirë.
“Me digjitalizim do t’u mundësojmë bizneseve qe të rrjetëzohen dhe të veprojnë pa shpenzime. Ne synojmë që bizneset t’i zvogëlojnë kostot operative, t’i zgjerojnë tregjet me kapacitetet që i kanë me mundësi më të mira, t‘i rrisin tregjet dhe të eksportojnë në gjithë botën. Përmes këtij bashkëpunimi, bizneset shqiptare do të jenë një hap para drejt zhvillimit ekonomik në nivel global”, tha ai.