Forcat afgane vranë gabimisht nëntë njerëz, shumica e tyre civilë, në një shtëpi në provincën Nangarhar, thanë zyrtarët.
Attaullah Khogyani, zëdhënës i guvernatorit të provincës, i tha Radios Evropa e Lirë se tetë persona, përfshirë një fëmijë dhe një grua, janë plagosur po ashtu në operacionin e kryer nga forcat speciale afgane në qarkun Çaparhar.
Guvernatori i provincës, Hayatullah Hayat, tha se forcat afgane kanë bastisur një shtëpi nga ku janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, porse, me përfundimin e operacionit, shumica e viktimave janë identifikuar si civilë.
Provinca Nangarhar, në kufi me Pakistanin, ka parë rritje të dhunës këtë vit.
Edhe talibanët, edhe grupi militant Shteti Islamik janë aktivë në zonë.