Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës është edhe 22 korriku i vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, shpalli verdiktin se, pavarësia e Kosovës është legjitime e drejtë dhe nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Haradinaj në një shkrim të bërë në Facebook ka thënë se, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është vendim historik për vendin, i cili ka konfirmuar themelet e pavarësisë tonë, të sovranitetit të shtetit dhe integritetit territorial.
Kryeministri në largim, ka thënë se është koicidencë që para nëntë vitesh, një ditë para vendimit të GJND-së, ai ishte thirrur në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor, ndërsa sot sërish thirret në Hagë, në përvjetorin e nëntë të kësaj gjykate.
Postimi i plotë:
Një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës është edhe 22 korriku i vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli verdiktin se, Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare.
Ky vendim historik për vendin, konfirmoi themelet e pavarësisë tonë, të sovranitetit të shtetit dhe integritetit territorial.
Për koicidencë, një ditë para vendimit të GjND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor. Sot, kur sërish thirrem në Hagë, në këtë përvjetor të nëntë, Kosova është më e fortë se kurrë, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm dhe i përkushtuar në rrugën euro-atlantike. RH