“Nëntor i ftohtë” i Kosovës rikthehet në Spanjë

Prishtinë | 25 Shk 2019 | 09:05 | Nga Ekonomia Online

“Nëntor i ftohtë” rikthehet në Spanjë, aty ku para gjashtë muajsh u dha premierë botërore. Por ndryshe prej shtatorit të vitit të kaluar – kur filmi ishte në garë në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit – tash do të jetë në kinematë e disa qyteteve spanjolle. Shfaqja do të nisë më 8 mars.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur regjisori i filmit Ismet Sijarina nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, i cili ka shpërndarë njoftimin e “Barton Films” me seli në Bilbao, një distributor i njohur filmash me një traditë gati 30-vjeçare.

“Nëntor i ftohtë” përcjell rrëfimin e Fadilit, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore në Kosovën e fillimviteve ’90 dhe duhet të zgjedhë midis dy opsioneve të gabuara. Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha anët. Në tërësi shpërfaq periudhën e zymtë të vendit.

Në të njëjtin muaj kur do të shfaqet në kinematë e Spanjës, “Nëntor i ftohtë” jepet premierë në Norvegji.

Projekti filmik “Nëntor i ftohtë” është produksion i shtëpive filmike “Thumbs Up” dhe “Buka” në bashkëprodhim me “Albasky Film”, “AUDIOHAUS” dhe “Ikone” dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë. Në nëntor të vitit të kaluar, në “Bosphorus Film Festival” në Stamboll, Kushtrim Hoxha për rolin e tij në këtë film mori Çmimin për aktorin më të mirë. E tetorin e atij viti në “Zürich Film Festival” filmi “Nëntori…” mori çmimin e audiencës.

Pos Hoxhës, në rolet kryesore luajnë aktorët: Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Haxhihafizbegoviq, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme