I mbërthyer në një frymë ekzistencialiste, filmi “Nëntor i ftohtë” identifikohet me publikun vendës dhe bëhet pamflet për shikues të huaj. I shqyrtuar me kuadra statikë, e në harmoni me atë që në fjalorin kinematografik njihet si “gjuhë filmike” regjisori izolon me kujdes teknikën, efektet dhe montazhin. E kjo bëhet në heshtje dhe pa u vërejtur nga publiku, shkruan sot Koha Ditore.
Një gjë e tillë në filmografi është mjeshtri regjisoriale dhe artikulim i një platforme prej një fanatiku filmik. Fatet e personazheve, ku secili prej tyre krijon nga një letërnjoftim skenik me gjithë brengat dhe nevojat jetësore, këtë film në aspektin zhanror e radhit diku mes dramës politiko-sociale e familjare. I tërë sistemi politik bredh nëpër shumë familje shqiptare duke prishur marrëdhënien me shoqërinë.
Stigma, përligjja dhe baltosja e Fadilit nga bashkëvendësit vjen si pasojë e mosrenditjes se tij në kauzën për bojkot e sabotazh të institucioneve të regjimit në fuqi. Kjo irriton masat popullore që bëjnë me gisht e hedhin vrer drejt tij. Në aspektin letrar skenari është ndërtuar në stilin prozaik të Franc Kafkës, Sartrit apo Kamysë, ku personazhet rrëzohen përtokë, ata janë të pafuqishëm përballë situatave që pjell sistemi, ndërsa kur kësaj i shtohen edhe të papriturat që sjell shëndeti i njeriut, marrin përmasa të absurdit ose të një bote pa përkufizim.