Tre nxënës me uniforma të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë befasuar të premten qindra nxënës e prindër në korridorin e madh të shkollës së Llaushës. Ka qenë pika e vetme e paparalajmëruar në programin kulturor të organizuar për nder të 28 Nëntorit.
Arsimtarja e gjuhës shqipe, Minire Geci, ka punuar ditëve të fundit tinëz me tre nxënësit e përzgjedhur për t’u futur befasisht në program. Nuk i është dashur kurrfarë skenari. Vetëm e ka përshkruar deklaratën e daljes publike të UÇK-së më 28 nëntor 1997 në varrimin e mësuesit Halit Geci, emrin e të cilit e mban tani shkolla e Llaushës, shkruan sot Koha Ditore.
“Unë isha në ditën e varrimit afër vajzës së mësuesit Halit, sepse e kisha shoqe të ngushtë”, thekson Geci, atëherë tetëmbëdhjetëvjeçare. “Ishim të befasuar me daljen e UÇK-së, por ata na dhanë zemër me praninë e tyre”, shton ajo..