Demokracia për Zhvillim (D4D) ka organizuar konferencën me temën “Rini aktive për zhvillim të qëndrueshëm”, me ç’rast u publikua raporti mbi sfidat e punësimit të të rinjve në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se disa nga faktorët e mospunësimit të të rinjve janë nepotizmi, mosshkollimi i duhur me kërkesat në tregun e punës e shumë të tjera.
Rrezarta Krasniqi, drejtoreshë ekzekutive e Instituti D4D, tha se nga të dhënat që i kanë marrë nga marsi i këtij viti, faktori që ndikon më së shumti në punësim janë nepotizmi e përkatësia etnike.
Ajo tha se gjysma e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se kanë pasur përkeqësim të gjendjes ekonomike si pasojë e pandemisë.
“Nga të dhënat që i kemi marr nga marsi 2022 ndër faktorët që ndikojnë më së larti janë lidhjet familjare 75%, 65% përkatësia etnike. Gjysma e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se kanë pasur përkeqësim të gjendjes ekonomike si pasojë e pandemisë, e 12.5% kanë pasur përkeqësim të dukshëm”, tha ajo.
“Mendojmë se mbështetja e të rinjve duhet të jenë në përputhje me nevojat dhe interesat e tyre dhe në masat që ofrojnë mundësi për të gjetur punë. Ne si D4D mirëpresin programe aktive të tregut të punës që u synojnë të rinjtë në Kosovë”, tha Krasniqi.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, foli për suksesin e ekipit kosovar “Bad New Eagles”, për kualifikimin në turneun më të madh në botë të CS:GO, PGL Major Antwerp 2022.
Ajo tha se gjeneratat e reja po e dëshmojnë se me punë rezultati do të jetë i garantuar.
“Gjeneratat e reja me aktivizimin në punën e tyre po na dëshmojnë se rezultatet janë të garantuara kur punohet. Vikendin që e pamë pas e patëm rastin të shohim rezultatet e sportit e ekipit ‘Bad News Eagls’ që u kualifikuan një ndër garat me prestigjioze në botë. Zbatimi dhe mbështetja e programeve i mbështesin të rinjtë aktiv është një ndër çështjet që po i kushtojmë rëndësi të veçantë”, tha tutje ajo.
“Çdo institucion publik ndikon në jetën e gjeneratave të tashme dhe gjeneratave të reja. Pikërisht për shkak të përgjegjësisë që bie në secilin institucion. Si Ministri në mandatin tonë që e kemi fokusi jonë është në trajtime për të rinjtë, punën vullnetare arti dhe sporti, pjesëmarrja në vendimmarrje e ndërkombëtare etj”.
“Njihemi si institucione qe përkrahim të rinjtë tani pasi t’i arrijmë rezultatet. Ka ardhur koha të krijojnë qasje tjetër, të përkrahim e të investojmë në rininë tonë përgjatë rrugëtimin. Jemi duke punuar maksimalisht që të bëjmë ndryshimin më këtë qasje dhe të sigurojmë asistim”, tha Osmani.
Kreshnik Xhara nga Drejtoria për Kulturë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se janë në përfundim të strategjisë 2019-2023 dhe kanë filluar të identifikojnë sfidat që i presin.
“Deri sot kemi prodhuar një draft raport, që ka të bëjnë me nevojat dhe sfidat e të rinjve. Me statistikat që i dëgjuam nuk jemi larg me të njëjtat raporte. Ky draft raport ka qenë gjithëpërfshirës. Sfidat kryesore në Kosovë sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2011, 53 për qind është nën moshën 25 vjeçare. Kosova mbetet me moshë mesatare të re”, tha ai.
Rina Kadiri, menaxhere e Programit “YIHR”, tha se papunësia e të rinjve është 49 për qind. Ndër shkaktarët e kësaj papunësie tha se është sistemi i arsimit, nepotizmi, korrupsioni e shumë dukuri të tjera, raporton EO.
“Programet dhe puna jonë është e fokusuar në rini e vazhdimisht jemi me aktivitete për vite kemi diku mbi 5 000 të rinj të përfshirë në aktivitetet tona. Ne besojmë në potencialin që ka rinia për me kriju një shoqëri aktive në Kosovë. Është përgjegjësi e jona qytetare që m’u angazhu që me siguru mirëqenien e të rinjve në Kosovë e mbi të gjitha përgjegjësi institucioneve shtetërorë që të krijojnë programe për të rinjtë. Diçka që nuk po ndodh vazhdimisht ka shqetësime e pakënaqësi prej anës së tyre, papunësia e të rinjve është 49 për qind dhe besojmë se problemet fillojnë nga sistemi i arsimit, nepotizmi, korrupsioni. Për këto arsye rinia kosovare është e dekurajuar prej situatës”, tha Kadiri.
Taulant Selmani nga Departamenti i Punës dhe Punësimit, tha se trajnimet që i ofrojnë si institucion janë të dalura nga moda dhe trajnime që janë jashtë kërkesave të tregut të punës.
“Ne i kemi 8 qendra si Agjenci e punësimit të Republikës së Kosovës. Janë trajnime të cilat janë të dalura nga moda. Kemi ndoshta trajnime profesionale që ofrohen e që janë jashtë kërkesave tregut të punës. Për shembull kemi trajnim bazë për shkathtësi kompjuterike për TIK, tash edhe në shtëpi e kanë mundësi t’i mësojnë gjërat bazike. Ne duhet ti bëjmë update”, tha ai.
“Sa i përket sfidave të punësimit edhe të komuniteteve tjera edh te grave, na gjithë kemi luftuar që gratë me u trajtu barabartë. Vitin e kaluar ne e kemi fut një komponent të veçantë pikërisht për punësimin e grave. Plani i punës për punësimin e të rinjve është plan që plotësohet e bëhen update çdo dy vite”, tha ai.