Nëse dështon koalicioni LVV-LDK, analistët thonë se janë disa skenare për formimin e Qeverisë

Prishtinë | 17 Jan 2020 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Në qoftë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk arrijnë përfundimisht të formojnë Qeverinë e re, atëherë janë disa skenare drejt formimit të institucioneve të Kosovës.

Analistët politikë përmendin si opsion bashkëpunimin e Lëvizjes Vetëvendosje me ndonjë parti tjetër, Qeverinë gjithëpërfshirëse, por nëse këto nuk realizohen atëherë edhe zgjedhjet e reja mbesin si opsion.

Analisti politik, Mazllum Baraliu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se momentalisht jemi në një krizë institucionale.

“Nuk ka shumë opsione, ne jemi në një krizë institucionale, ne jemi në udhëkryq e kjo nuk i bën mirë askujt. Nëse nuk arrihet koalicioni duhet LVV të shkojë në presidencë të dorëzohet mandati dhe të tregohet se nuk po mund të kompletohet kabineti qeveritar. T’i jepet edhe një afat prej 15-ditësh dhe nëse nuk mundet as pas këtij afati atëherë të shkohet në zgjedhje të reja. Po ashtu grupet parlamentare mund të merren vesh të shpërndajnë parlamentin, dhe për këtë duhen 2/3 e votave”, ka thënë Baraliu.

Analisti politik, Mazllum Baraliu

Gjithashtu, drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, duke komentuar situatën e krijuar politike tha se nëse LVV dhe LDK nuk gjejnë gjuhë të përbashkët për qeverisje atëherë janë katër opsione për formimin e Qeverisë.

“Opsionet janë: LVV të kërkojë partner tjetër për koalicion, pasi LVV të konsumojë të drejtën për të formuar Qeverinë, mandati t’i jepet LDK-së. Të ketë Qeveri gjithëpërfshirëse tri vjeçare dhe opsioni i katër është të shkohet në zgjedhje të reja”, tha Demhasaj për Telegrafin.


Ndërkaq, dy partitë politike Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për momentin nuk janë duke zhvilluar takime, këto dy parti së fundmi kanë shkëmbyer disa letra njëra me tjetrën. Kreu i LVV-së, Albin Kurti ka kërkuar nga kryetari i LDK-së të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Ai ka kërkuar që LDK të heqë dorë nga kërkesa për largimin e Konjufës dhe t`i kthehet negociatave.

“Bujarisht, ju kemi ofruar më shumë se gjysmën e qeverisë ( në raportin 6:5 të ministrave), juve si parti që keni dalur e dyta në zgjedhje. E kemi pranuar edhe çështjen e zgjedhjes së Presidentit e cila nuk është fare urgjente dhe për të cilën nuk kemi garuar. U treguam më shumë se të gatshëm të rrisim pjesëmarrjen e LDK-së në qeverisje, në pushtet. Mirëpo, nuk mundemi tash t’i de-legjitimojmë institucionet demokratike me ujdi monarkësh. Zgjedhja e Konjufcës ishte legale dhe legjitime”, thotë Kurti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme