Igli Tare ka zgjuar interesim nga një klub i madh rival nga Serie A.
E bujshme nga Italia. Pas eksperiencës së mirë me Elseid Hysaj-n, Napoli kërkon të afrojë një tjetër shqiptar. Ndryshimi në këtë rast është se nuk bëhet fjalë për një futbollist, por për drejton sportiv të Lazios, Igli Tare.
Ndërsa shpresat për titullin kampion në Serinë A nuk janë shuar plotësisht, për sezonin e ardhshëm te Napoli po bëjnë gati revolucionin. Pas zërave për trajnerin Maurizio Sarri, apo interesimit nga Anglia për Hysajn dhe Kulibaly, apo kontratën e Reinas me Milanin, nga skuadra pritet të largohen edhe shumë emra të tjerë të mëdhenj.
Gjithsesi, ndryshimet më të rëndësishme pritet të jenë ato në pozicione drejtuese, ashtu si rasti i drejtorit sportiv, Cristiano Giuntoli, për të cilin ende nuk ka rinovim të kontratës. Në rast të largimit të drejtuesit, presidenti Aurelio De Laurentiis dëshiron të afrojë te Napoli, Igli Taren, transmeton ‘SuperSport.al’.
Ish-kapiteni i Kombëtares, që në vitet e fundit është vlerësuar si drejtori sportiv më i mirë në Itali për goditjet e shkëlqyera në merkato, mund të jetë i lirë në qershor. Kontrata e tij me Lazion mbyllet në fund të sezonit. De Laurentiis ka kontaktuar me Taren, që pasi ka treguar nuhatje të jashtëzakonshme në evidentimin e talenteve, cilësohet njeriu ideal për një piacë si Napoli.
Filozofia e klubit me investime të rëndësishme dhe promovimin e yjeve të rinj i shkon për shtat ish-sulmuesit shqiptar, që për momentin mbetet maksimalisht i përqendruar te Lazio, por do ta kishte të vështirë të refuzonte një projekt ambicioz si ai i Napolit.