Nëse nuk dalin pensionet deri më 25 tetor veteranët e invalidët do të hyjnë në grevë

Prishtinë | 09 Tet 2017 | 12:14 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Veteranët e invalidët janë takuar me Ilmi Ramadanin, këshilltar i kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit, raporton EO.

Agron Goxhuli, përfaqësues i veteranëve dhe invalidëve, tha se Ramadani u ka thënë se Kuvendit i duhen 20 deri në 40 ditë për ta kaluar rishqyrtimin e buxhetit të Kosovës.

“Ilmi Ramadani, këshilltar politik i Kadri Veslit, na ka thënë që procedura për marrjen e pensioneve për veteranë kalon në tre procedura, dhe na tha që ka me na njoftua çdo ditë se qysh po shkon puna”, tha ai.

Ndërsa Faik Zogaj, anëtarë i këshillit për veteranët, tha se do të presin vetëm deri më datën 25 të këtij muaji nëse nuk dalin pensionet, e më pas do të hyjnë në grevë.

Haradinaj i ka dhënë një muaj Prokurorisë për të hetuar listat e veteranëve

E plotësuar: Përfaqësues të veteranëve e invalidëve të UÇK-së pas takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj ia kanë mësyer Kuvendit.

Kjo pasi kreu i Qeverisë u ka thënë se problemi nuk është tek ta, por tek Kuvendi që nuk e ka votuar  rishikimin e buxhetit.

Sipas tyre, Haradinaj u ka thënë se i ka dhënë një muaj kohë Prokurorisë për të hetuar listat e veteranëve.

Veteranët tani janë drejtuar tek Kuvendi i Kosovës për t’u takuar me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

Përfaqësues të veteranëve e invalidëve të UÇK-së hyjnë në takim me Haradinajn

E plotësuar: Pas protestës së mbajtur para Qeverisë, nga veteranët e invalidët të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ata janë nisur drejtë hyrjes së Qeverisë, duke tentuar të kenë një takim me kryeministrin Ramush Haradinajn.

Kërkesa e tyre u aprovua e pesë përfaqësues të tyre kanë hyrë brenda për të zhvilluar një takim me Haradinajn.

Veteranët e invalidët në protestë për pagat e tyre 

Dhjetëra veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” për të kërkuar pensionet e tyre, të cilat janë ndalur që nga gushti për shkak të mos shqyrtimit të buxhetit.

Veteranët kanë kërkuar nga Qeveria që të mos nisë implementimin e Ligjit për Kategorizimin e Veteranëve, raporton Ekonomia Online.

Valentina Haliti, ka folur në emër të këtyre protestuesve dhe iu ka bërë thirrje institucioneve që të mos i lënë në harresë veteranët. Ajo ka thënë se veteranët po vetëvriten nga skamja.

“Nuk kemi as pare me dal në protesta, as dy euro në xhep. Dua t’iu bëj thirrje qeveritarëve që rrinë të ngujuar dhe t’i thërrasin ndërgjegjes. Ne jemi veteran të vërtet dhe nuk kemi lidhje me partitë politike”, ka thënë Haliti.

Ajo ka akuzuar kryetarin e Organizatës së Veteranëve, Hysni Gucatin se ka shitur certifikata të veteranit nga 3 mijë euro.

“A nuk iu vije turp që keni blerë statusin e veteranit. Hysni Gucati ka shit certifikata të veteranit 3 mijë euro”, tha ajo.

Protesta po mbahet në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet dhe ka nisur nga ora 11:00, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme