Muharrem Svarqa nga LDK-ja ka deklaruar se kjo parti nuk do të tërhiqet mbrapa nga mocioni i mosbesimit për rrëzimin e qeverisë Kurti.
Në një interviste për Klan Kosova, Svarqa tha se tashmë janë duke mbledhur nënshkrimet e nevojshme për mocionin.
“LDK-ja për ruajtje të interesave të marrëdhënieve strategjike me SHBA-në dhe për të penguar në një mënyrë edhe udhëheqjen e Kosovës në dëm të së ardhmes së saj, por edhe veprimet të cilat i ka marrë kryeministri me shkarkimin e ministrit Agim Veliu në mënyrë krejtësisht te njëanshme, pa ndonjë konsultim paraprak, kryesia e partisë është konsultuar dhe kemi aprovuar mocionin e mosbesimit.
Realisht, veprimet e ndërmarra nga Albin Kurti në mënyrë kronologjike kanë qenë të njëanshme, megjithatë shkarkimi i Veliut, si njeriu i dytë i LDK-së, ka qenë një provokim tepër i rëndë dhe një sjellje autoritare që LDK-ja nuk mund ta gëlltiste”, ka thënë Svarqa.
Svarqa shkarkimin e Veliut e cilësoi si shkelje të marrëveshjes se koalicionit VV-LDK dhe tha se kjo e fundit nuk ka pasur zgjidhje tjetër.
Ai mohoi të ketë pasur ndonjë diskutim paraprak me PDK-në për këtë çështje.
“Ne do të procedojmë me mocionin e mosbesimit, kthim mbrapa nuk ka. Do të fokusohemi me partitë politike, me të cilat Isa Mustafa ka pasur takime sot dhe do t’ua lëmë mundësinë edhe të tjerëve nëse dëshirojnë ta mbështesin mocionin. Nuk kemi asnjë kontakt me PDK-në dhe të gjitha këto tendencat për t’ia atribuuar LDK-së, kinse do koalicion me PDK-në, janë tendencioze dhe nuk ka asgjë të vërtetë. Nëse nuk kalon atëherë kryeministri le ta zgjedhë një partner tjetër”, ka bërë me dije Svarqa.
Sa iu përket diskutimeve dhe bashkëpunimit me AAK-në, kreu i se cilës me ngulm ka mbrojtur taksën 100 %, Svarqa tha se Ramush Haradinaj “në këtë drejtim nuk do të jetë më kaq kategorik”.