Nesër fillon Hardh Fest 2026

Prishtinë | 03 Sht 2026 | 19:27 | Nga Ekonomia Online

Nesër, e premte, 4 shtator, në Rahovec fillon edicioni i sivjetëm i Hardh Fest, festivalit më të madh të vjeljes së rrushit në Kosovë, që zgjat deri të dielën, më 6 shtator.

Festivali hapet në orën 11:00 me Karnavalin e Vreshtarëve, parakalimin tradicional të vreshtarëve dhe mekanizmave bujqësorë nëpër qytet, i ndjekur nga prerja ceremoniale e kalaveshit të parë të rrushit, që shënon fillimin zyrtar të vjeljes në Rahovec.

Po atë ditë hapet edhe Hardh Panairi, panairi i rrushit, verës, rakisë dhe gastronomisë me prodhues nga e gjithë Kosova, ndërsa programi i ditës vazhdon me garat tradicionale të vjeljes së rrushit (Hardh Cut) dhe garën Vrapo me Ven

Programi artistik i natës së parë nis me Mjeshtrin e Madh Vendim Kapaj dhe ISO Polifoninë, tingujt e iso-polifonisë shqiptare që janë pjesë e kolonës zanore të filmit të Christopher Nolan. Kulmi i natës është koncerti i Modern Talking me Thomas Anders & Band, që performojnë për herë të parë në Kosovë, ndërsa nata plotësohet me Vedat Ademin dhe DJ 029.

Të shtunën, më 5 shtator, në skenën e Hardh Fest ngjiten Naser Berisha, Tuna, Era Istrefi dhe DJ Maarvel, ndërsa të dielën, më 6 shtator, festivali mbyllet me Endri & Stefi Priftin, Anxhela Peristerin, Xhensila Myrtezajn dhe DJ Enndzin.

Gjatë tri ditëve, vizitorët do të mund të marrin pjesë në Hardh Tour, turin e udhëhequr nëpër vreshta dhe trashëgiminë kulturore të Rahovecit (të shtunën dhe të dielën nga ora 17:00), në garat Hardh Sprint dhe Hardh Eks, në aktivitetet për fëmijë Hardh Kids, si dhe në Hardh Expo.W

Nikoqir i Festivalit për edicionin 2026 është futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova, i lindur në Krushë të Madhe, ndërsa Ambasador Nderi i Hardh Fest është Antonio Pomillo, kryetar i Komunës së Vaccarizzo Albanese (Vakarici), fshat arbëresh në Kalabri, me të cilin Komuna e Rahovecit nënshkroi së fundmi Paktin e Miqësisë.

Hardh Fest ndër vite është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe turistike në vend, duke tërhequr çdo vit vizitorë nga Kosova, rajoni, diaspora dhe mbarë bota, dhe duke e promovuar Rahovecin si qendër e verës dhe mikpritjes.

Hardh Fest 2026 me sloganin Për kokërr t’qefit mbahet nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Bankës për Biznes – Sponsor Gjeneral, dhe sponsorëve tjerë.

Të ngjashme