Nesër jepet premiera e koreodramës “Kumt”, kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut

Prishtinë | 25 Sht 2018 | 15:33 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e premierës së koreodramës “Kumt”, të autorit Gjergj Prevazi, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” ka mbajtur konferencë për media.

Shefqet Gjocaj, drejtor i Ansamblit, ka thënë se kjo koreodramë është në nder të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, raporton Ekonomia Online.

“Është një koreodramë që i kushtohet 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Organizohet në kuadër të ‘Vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut’. Është përgatitur nga Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve ‘Shota’, trupa artistike e udhëhequr nga Ylber Asllanaj, autori i shfaqjes, koreograf dhe regjisor është Gjergj Prevazi, autor i muzikës, Valton Beqiri, rolet kryesore të Skënderbeut dhe Donikës i luajnë Besnik Graiçevci dhe Artiola Shala”.

“Ideja ishte edhe e këshillit artistik që këtë shfaqje ta përgatiste profesor Prevazi. Me gjithë vështirësitë, besoj ia kemi arritur qëllimit”.

“Besoj që është format i ri, është punë e lodhshme por audienca, të gjithë kanë çka me pa. Kjo punë e promovon dhe e avancon gjithë trupën e ansamblit dhe në gjerdanin e saj shtohet një perlë koreografike me të gjitha elementet e një produksioni teatror.

Profesor Prevazi ka thënë se një propozim i tillë për regjisor ka ardhur para 9 muajsh.

“Natyrisht për çdo autor, jam i bindur që është sfidë e madhe të merresh me heroin e një kombi, për më tepër heroin e kombit tonë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Për të arritë deri te një shfaqje e tillë jam menduar gjatë dhe arrita në përfundimin, sepse kam gjetur një formë skenike që do t’i përshtatet edhe një  qasje ndryshe nga ajo që jemi mësuar ne zakonisht t’i trajtojmë figurat tona heroike”.

“Shfaqja ka shumë komponentë, është kompozuar muzikë e re, është ndërhyrë në kostume, ku ka trajtuar me mjete të lehta dhe duke modernizuar pamjet e veshjeve kombëtare. Sfida më e madhe ka qenë e vetë trupës së ansamblit ‘Shota’. Ju nesër nuk do shihni një shfaqje të formatit të përhershëm, por është koncept më i gjerë me një qasje më teatrale”.

Ylber Asllani, udhëheqës artistik i trupës, është shprehur se kjo është një shfaqje që nuk duhet humbur, duke falënderuar të gjitha ata që kanë bërë një punë të palodhshme.

Kurse, aktorët kryesorë të shfaqjes, janë shprehur se janë të lumtur që kanë mundësinë të performojnë në këto dy personazhe.

“Fjalët tona do jenë nesër në skenë”, ka thënë Besnik Graiçevci.

 

 

Të ngjashme