Nesër takimi i Presidentes me partitë politike, a do të shtyhen zgjedhjet e 17 tetorit?

Prishtinë | 12 Sht 2021 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nesër do të mbajë takimin konsulativ me paritë e thirrura, ku do të diskutohet për rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

LVV dhe PDK ishin dy partitë e para që u shprehen të gatshme të marrin pjesë në takim me presidenten, Vjosa Osmani për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.

Ishte Partia Demokratike e Kosovës ajo e cila e para ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në takimin konsultativ me presidenten, duke thënë se kjo parti asnjëherë nuk i është shmangur takimeve institucionale.

“PDK nuk i është shmangur asnjëherë takimeve institucionale dhe do të merr pjesë në takimin e të hënës. Të gjitha qëndrimet dhe propozimet e PDK, kryetari Memli Krasniqi do ti shfaqë në takim”, ka thënë Faton Abdullahu për Ekonomia Online.

Pas PDK-së edhe VV i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentes.
Sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka tha se ata janë gjithmonë të gatshëm si subjekt të takohen me Presidenten.

“Ne jemi të gatshëm si subjekt të takohemi me Presidenten kurdo që ajo na thërret”, tha ai.

Por, bashkë me LVV-në dhe PDK-në është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës që ka konfirmuar pjesëmarrjen, ku Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi ka konfirmuar dje për RTV Dukagjinin se edhe kjo parti do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Presidentja.

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ende nuk e di nëse do të marrin pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga presidentja, Vjosa Osmani, lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.

Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, i cili ka thënë se të hënën do të vendosin se a do të shkojnë në takim apo jo.

“Nuk kemi vendosur ende. Jemi duke e diskutuar në strukturat e Alenacës dhe të hënën paradite do të vendosim nëse do të shkojmë apo jo.”, ka thënë Lekaj për Reporteri.net.

Partitë në fjalë përveç AAK-së kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por që nuk kanë dhënë një përgjigje se a do të jenë pro apo kundër shtyrjes së zgjedhjeve.

Kujtojmë se takimi fillon nesër nga ora 17:00.

Të ngjashme