Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka deklaruar se Prishtina do të jetë nesër zëri i bashkimit qytetar për drejtësi dhe mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
“Kosova është më shumë se një shtet – është amaneti i gjakut të dëshmorëve, i plagëve të luftëtarëve dhe i rezistencës së popullit tonë. Është historia e një populli që nuk u gjunjëzua, që zgjodhi të luftojë për liri, dinjitet dhe për të drejtën për të jetuar i lirë në tokën e vet,” deklaroi Kryetari Rama.
Ai theksoi se vlerat e luftës së UÇK-së janë themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë dhe se pa ato sakrifica, nuk do të kishim as flamur, as shtet, as liri.
“Mirënjohja për ata që dhanë gjithçka nuk është zgjedhje, është obligim kombëtar. Liria që gëzojmë sot ka emër: sakrificë. Dhe ka drejtim: drejt një të ardhmeje me dinjitet, drejtësi dhe unitet,” shtoi Rama.
Kryetari i Kryeqytetit ka theksuar gjithashtu se është ndërmarrë një hap i rëndësishëm për institucionalizimin e përkujdesjes ndaj kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, përmes krijimit të një sektori të veçantë brenda kabinetit të tij, të cilin e udhëheq z. Sylë Vitia, veteran i UÇK-së.
“Respekti për luftën nuk është fjalë. Është përgjegjësi dhe vepër,” u shpreh Kryetari Rama, duke ftuar qytetarët që të jenë pjesë aktive e protestës së nesërme.
Në mbështetje të protestës së paralajmëruar për datën 07 gusht 2025, Kryeqyteti ka marrë këto masa lehtësuese për qytetarët:
“Prishtina është krenare, sa herë që prej këtu ngrihen zëra për drejtësi, për bashkim, për vlera,” ka përmbyllur deklaratën e tij Kryetari Rama.