Të premten do të shpaloset vendimi përfundimtar lidhur me dyshimet për manipulime me çmime nga kompanitë e derivateve të naftës.
Lajmin e ka bërë të ditur Autoriteti i Konkurrencës, përmes një njoftimi në faqen zyrtare. Konferenca do të mbahet në ish-objektin e Bankës së Lubjanës, kati i katërt, Rr. Migjeni në Prishtinë.
“Ju njoftojmë se të premten (08.05.2020), në orën 10, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do ta shpalosë vendimin përfundimtar lidhur me rastin që ka të bëjë me dyshimet për manipulime me çmime nga kompanitë e derivateve të naftës”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, në muajt e fundit të vitit 2018 çmimet e larta të naftës në vend patën nxitur reagime të shumta të qytetarëve. Dyshimet ishin se kompanitë që operojnë në vend, kishin lidhur një marrëveshje të fshehtë për të ngritur çmimet. Por, atë kohë shoqata e naftëtarëve arsyetohej se në Kosovë çmimet ishin më të ulëta se në rajon.