Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të premten në Kombet e Bashkuara e paralajmëroi Iranin se përballet me “kërcënim bërthamor”, por zyra e tij reagoi shpejt duke e cilësuar këtë si rrëshqitje goje.
Netanyahu, i cili e ka përdorur vazhdimisht skenën në OKB për të bërë paralajmërime të errëta për Teheranin, pushoi shkurtimisht gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme kur u duk sikur po kërcënonte me sulm bërthamor nëse Teherani e krijon bombën e vet bërthamore.
“Mbi të gjitha – – mbi të gjitha – – Irani duhet patjetër të përballet me kërcënim të besueshëm bërthamor. Sa të jem unë kryeministër i Izraelit, do të bëj gjithçka në fuqinë time për të mos e lejuar Iranin të ketë armë bërthamore”, tha Netanyahu.
Një raketë balistike e gjeneratës së katërt, Khorramshahr, në një vend të pazbuluar në Iran, më 25 maj 2023.
Zyra e tij reagoi shpejt dhe tha se Netanyahu e kishte bërë një lëshim në fjalim dhe se në tekstin e tij të parapërgatitur shkruhej “kërcënim të besueshëm ushtarak” e jo “kërcënim të besueshëm bërthamor”.
“U lexua gabimisht si kërcënim i besueshëm bërthamor. Kryeministri i qëndron tekstit origjinal të fjalimit”, tha zyra e kryeministrit izraelit.
Izraeli ka program shumë të njohur por të padeklaruar bërthamor. Besohet se nga janari Izraeli ka një depo me 90 koka bërthamore, sipas Institutit Ndërkombëtar të Paqes në Stokholm.
Teherani, ndërkohë, e mohon se synon të ketë bombë bërthamore, por i ka shkelur limitet e pasurimit me uranium të cilat u vendosën ndaj tij në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara më 2015, nga e cila u tërhoq ish-presidenti amerikan Donald Trump dhe u rivendosën sanksione.
Richard Gowan, i cili i përcjell Kombet e Bashkuara për Grupin Ndërkombëtar të Krizave, tha se nuk është e pazakontë për liderët që t’i lexojnë gabimisht fjalimet e tyre.
Presidenti amerikan Joe Biden, në një pjesë të rëndësishme të fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të martën, paralajmëroi se dorëzimi para Rusisë në luftën kundër Ukrainës do të nënkuptonte braktisje të parimeve të Shteteve të Bashkuara, në vend se të thoshe Kombeve të Bashkuara.
“Nuk është fshehtësi se Izraeli ka armë parandaluese bërthamore. Por, nuk mendoj se Netanyahu e kishte në plan reklamimin e armëve të veta bërthamore në OKB”, tha Gowan.