Presidenti izraelit, Reuven Rivlin i ka kërkuar kryeministrit të këtij shteti, Benjamin Netanyahu që të formojë qeverinë e re.
Ky vendim vjen pasi Netanyahu dhe rivali i tij kryesor në zgjedhjet e fundit, Benny Gantz, kanë dështuar që të arrijnë marrëveshje për një qeveri të përbashkët.
Zgjedhjet e javës së kaluar kanë qenë të dytat që janë mbajtur gjatë këtij viti në Izrael.
Alenca Blu dhe Bardhë e Gantzit ka fituar 33 ulëse, derisa Partia Likud e Netanyahut ka fituar 32 të tjera në parlamentin me 120 vende.
Tani Netanyahu ka gjashtë javë kohë për të formuar qeverinë.
Presidenti Rivlin ka thënë se do të bëjë gjithçka që mundet për të parandaluar mbajtjen e zgjedhjeve për herë të tretë gjatë këtij viti.
“Netanyahu ka më shumë mundësi që të formojë qeverinë”, ka thënë presidenti izraelit në një fjalim pas takimit me Netanyahun.
Të hënën, ligjvënësit izraelito-arabë kanë thënë se preferojnë ish-shefin ushtarak, Gantz për kryeministër.
Lista e Përbashkët, një bllok i partive arabe, që është renditur e treta pas rezultateve të zgjedhjeve, ka thënë se dëshiron të largojë Netanyahun nga pozita.
Kjo është hera e parë prej vitit 1992, që një grup politik arab ka treguar përkrahje për një kryeministër izraelit.
Lista e Përbashkët ka fituar 13 ulëse në zgjedhje. Nëse Gantz ka përkrahjen e të gjithë këtyre 13 personave, ai sërish do të ketë vështirësi për të siguruar 61 ulëse që i duhen për të krijuar shumicën në parlamentin me 120 deputetë.