E përditshmja amerikane New York Post, e cila konsiderohet edhe si gazeta e preferuar e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka komentuar fushatën zgjedhore të Kandidatit të PDK-së për Kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli.
Kjo gazetë, që del në New York, ku ndodhet e përqendruar edhe shumica e diasporës shqiptare të SHBA-së, i kushton vëmendje të veçantë faktit që Prishtina është mbushur me billborda të Presidentit Trump dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli.
Duke nënkuptuar efektin e Trump në fitoren e zgjedhjeve në Kosovë, si dhe duke rikujtuar takimin e zhvilluar mes Trump dhe Veselit në vitin 2017, New York Post përmend se si Kandidati i PDK-së për Kryeministër ka zgjedhur pro-amerikanizmin si një mënyrë për të arritur fitoren.
“Për dallim nga rivalët e mi, unë jam kandidati i vetëm që promovoj një partneriteti të fortë dhe publik me SHBA-të dhe Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Trump”, ka deklaruar Veseli për New York Post.
Gazeta rikujton se Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe njihet nga më shumë se 100 vende, përfshirë SHBA-në, por Serbia dhe pesë vendet e BE-së ende refuzojnë ta pranojnë atë.
“Populli i Kosovës e kupton se një Amerikë e fortë e ndihmon edhe Kosovën që të bëhet më e fortë”, ka thënë Veseli. New York Post, më tej, thekson agjendën anti-korrupsion të Veselit.
“Platforma ime kundër korrupsionit dhe nepotizmit ka shumë gjëra të përbashkëta me platformën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti Trump kanë në luftën globale kundër korrupsionit”, citon New York Post këtë deklaratë të Kadri Veselit, të bërë në një tubim elektoral në Lipjan.
Kjo e përditshme amerikane, po ashtu, shkruan se Veseli ishte një ndër liderët dhe themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe Shef i Shërbimit të Inteligjencës së Kosovës.
New York Post, duke komentuar zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, në fund përmend faktin që edhe kandidatja rivale, Vjosa Osmani, ka lidhje me Amerikën, duke qenë se ka studiuar për juridik në Universitetin e Pitsburgh, transmeton EO.