Edhe pse pas dështimit të takimit të fundit në Bruksel mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u paralajmërua se këta dy do të ftohen së shpejti përsëri në Bruksel nga Mogherini, dhe u tha se kjo duhet të ndodhë para javës kur zhvillohet seanca plenare e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, duket se kjo nuk do të ndodhë deri atëherë, shkruan sot Koha Ditore.
Burimet diplomatike në Bruksel pohojnë se janë të vogla gjasat që të mund të organizohet një takim i radhës në Bruksel për disa arsye.
Ndër to janë angazhimet e Vuçiqit, i cili do të udhëtojë në Kinë, pastaj agjenda e ngjeshur e përfaqësueses Mogherini, por edhe paqartësitë që janë krijuar pas dështimit të fundit në Bruksel dhe vizitës së presidentit të Serbisë Vuçiq në pjesën veriore të Kosovës.
BE-ja vazhdon të jetë e ndarë rreth ideve që janë paraqitur gjatë verës për ndryshime të kufijve, pa marrë parasysh se si i quan cila palë këto.