Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, edhe zyrtarisht sot i ka dorëzuar këtë detyrë kryetarit të zgjedhur, Shpejtim Bulliqi.
Pranim-dorëzimi i detyrës u bë në zyrën e kryetarit, derisa Rudari i ka uruar punë të mbarë Bulliqi, pasi ky i fundit në zgjedhjet e 29 nëntorit doli fitues me 51.9 për qind të votave.
Rudari ia ka dorëzuar detyrën Bulliqit duke i dhënë edhe çelësat e zyrës së kryetarit dhe vulën e kësaj zyreje.
Kryetari i zgjedhur i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, sot është beturar si kryetar në një seancë solemne në asamblenë komunale.
Në fjalimin e tij të bërë para këshilltarëve komunalë, Bulliqi është zotuar se do të punojë si kryetari i gjithë qytetarëve llapjanë, pa ndonjë dallim partie.
“Besimin që na e dhanë qytetarët ta kthejmë në punë dhe përgjegjësi. Jam jashtëzakonisht i nderuar që pas një procesi demokratik të zgjedhjeve llapjanët më besuan dhe më zgjedhën mua si kryetar të tyre”.
“Komuna e Podujevës do t’i mirëpres dhe do të punojë me të gjithë qytetarët pa dallim”, tha mes tjerash Bulliqi.
Kujtojmë se Bulliqi është zgjedhur kryetar i kësaj komune me 51.9 përqind të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 29 nëntor.