Sulmuesi anësor i Paris Saint-Germainit, Neymar, i ka kritikuar tifozët e Marseille për sjelljen e tyre gjatë ndeshjes mes dy klubeve dje, si dhe ka kërkuar nga Federata e Futbollit të Francës që t’i dënojë ata tifozë.
Golat e Kylian Mbappes dhe Julian Draxlerit në pjesën e dytë të ndeshjen ia siguruan kampionëve francez fitoren me rezultat 2-0 në stadiumin Orange Velodrome. Por, ky rezultat u prit me dhunë nga tifozët e klubit vendas, transmeton Gazeta Express.
Në momente që Neymari shkoi për ta gjuajtur një rivënie këndore, ai u sulmua nga tifozët e Marseille të cilët filluan ta gjuajnë me shishe dhe me para. Madje, njëri nga shumë personat që po e gjuanin atë, e kishte gjuajtur me shishe xhami, gjë të cilën braziliani ia tregoi edhe gjyqtarit të ndeshjes.
Ylli 26-vjeçar përjetoi momente të ngjashme edhe gjatë ndeshjes kundër Marseille në Velodrome në tetor të vitit të kaluar dhe ai tani i ka bërë thirrje autoriteteve përkatëse që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për t’i siguruar lojtarët në fushë.
“Për ta vazhduar rekordin e fitoreve ne duhet të përjetojmë gjëra të tilla gjatë rivënieve këndore? Është mungesë respekti, jo vetëm për mua, por edhe për lojtarët e Marseille. Nuk është e drejtë”, ka thënë Neymar.
“Autoritetet të cilat e qeverisin Ligue 1 duhet të marrin vendim sepse kjo gjë nuk mund të vazhdojë më kështu. Çdo herë që vijmë këtu, ata na gjuajnë me gjëra, përfshirë këtu edhe me shishe xhami”.