Nga 1 janari i vitit të ardhshëm skema e sigurimit të depozitave do të përfshijë edhe kursimet e biznesit. Banka e Shqipërisë ka miratuar dy udhëzime të posaçme, të cilat përcaktojnë se ashtu si individët edhe kursimet e biznesit në banka do të garantohen nga shteti deri në masën 2.5 milionë lekë ose mbi 18 mijë euro.
Sipas udhëzimit, skema siguron të gjitha llojet e kursimeve, pavarësisht nëse ato janë të vendosura në bankë si depozita, llogari rrjedhëse apo çdo instrument tjetër kursimi.
Të dhënat zyrtare nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave tregojnë se deri në fund të vitit 2015 biznesi kishte 145 miliardë lekë ose mbi 1 miliardë euro depozita në sistemin bankar. Nga këto do të sigurohen plotësisht rreth 40 miliardë lekë ose 28 për qind e totalit, që sipas ASD i korrenspondojnë 126 mijë bizneseve.
Skema e sigurimit të depozitave siguron deri në 2.5 milionë lekë për çdo depozitë në secilën bankë. Në rastin e bizneseve, ata mund të përfitojnë edhe nëse kanë një depozitë individësh.
Sigurimi i depozitave të biznesit ishte një nga rekomandimet kryesore të Bankës Botërore, pas vlerësimit që ky institucion kreu mbi sistemin financiar të Shqipërisë dy vjet më parë. Po kështu Agjencia e Sigurimit të Depozitave thotë se kjo masë është në përputhje edhe me direktivat e Bashkimit Europian.
Kuvendi ka miratuar këtë vit ndryshimet në ligjin për sigurimin e depozitave. Futja në skemën e sigurimit të depozitave të bizneseve, rrit me 120 mijë subjekte numrin e përfituesve, me një shumë të mbuluar rreth 30 miliardë lekë.
Subjektet
Ndërkohë që, pas qytetarëve, tani janë të siguruara edhe depozitat nga subjekte private, për depozitat e shoqërive të kursim-kreditit kërkohet më shumë kohë për t’u futur në skemën e sigurimit dhe është rënë dakord që më parë të bëhet ristrukturimi i krejt sektorit.