Konstituimi i Legjislaturës së VIII të Kuvendit të Kosovës, i cili u bë ditë më parë, ku kryetar i saj me shumicë votash u zgjodh Glauk Konjufca nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka mbetur që të funksionalizohet në tërësi pasi të formohen edhe 14 komisione parlamentare nga grupet parlamentare të subjekteve politike në Kuvend, të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kuvendi i Kosovës edhe pse është konstituuar nuk është funksionalizuar plotësisht.
Cakolli tha se deri më sot Kuvendi i ka pasur 14 Komisione Parlamentare, dhe sipas tij nëse do të mbetet ky numër atëherë LVV-ja si partia më e madhe pozitare do të marr shtatë komisione, PDK dhe LDK si opozitë ju takojnë nga dy komisione si dhe AAK-ja, Lista Serbe dhe Partitë e komuniteteve jo shumicë ju takon nga një komision.
Ai po ashtu sqaroi se në Komisionet Parlamentare janë 11 anëtarë, mirëpo në këtë rast LVV-ja me koalicionin e vet do të përfaqësohet me shumicën e anëtarëve në këto komisione, që i bie se do të kenë të paktën nga gjashtë anëtarë.
“LVV përkatësisht koalicioni i tyre qeverisës me komunitetet jo shumicë do të kenë gjysmën e anëtarëve në pothuajse në secilin komision me përjashtim të komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim. Nga 11 anëtarë sa ka secili komision LVV dhe koalicioni qeverisës do të kenë të paktën 6 anëtarë në secilën nga komisionet. Si grupi më i madh parlamentar LVV do të kryesoj 7 komisione nëse numri i komisioneve mbetet i njëjtë siç ka qenë deri më tani, pasuar nga LDK dhe PDK që do të udhëheqin me nga dy komisione si dhe AAK, Lista Serbe, Grupi Parlamentar 6+ që do të udhëheqin nga një komision”, ka sqaruar Cakolli.
Ai gjithashtu tha se për herë të parë në Kuvendin e Kosovës nuk do të ketë problem me sigurimin e votave për kalimin e projektligjeve ligjore.
“Për herë të parë mbase nuk do të ketë probleme me sigurimin e votave për kalimin e çfarëdo iniciative ligjore dhe në këtë drejtim, fakti që një subjekt ka arritur të fitoj gjysmën e mandateve dhe i njëjti pa pasur një koalicion formal me partitë tjera do të ketë shumicën në kuvend përbën element pozitiv. Tashmë do të kenë një dinamik të shtuar të punës në kuvend si dhe me shumë gjasë nuk do të kemi bllokada të tipit të dy-tri legjislaturat e fundit ku një pjesë e madhe e iniciativave ligjore kanë dështuar që të votohen në mungesë të kuorumit”, ka thënë Cakolli.
Mirëpo siç u shpreh ai në aspektin parimor ekziston rreziku që Kuvendi të shndërrohet në një lloj vule të projektligjeve më shumë se sa një filtër i tyre.
Cakolli theksoi se tashmë pritet që kuvendi t’i kaloj të gjitha projektligjet, edhe pse në aspektin parimor ekziston rreziku që Kuvendi të shndërrohet në një lloj vule të projektligjeve më shumë se sa një filtër i tyre që do duhej të ishte, por që sërish do të kenë zbatim të propozimeve dhe iniciativave të tilla ligjore nga ana e ekzekutivit”, ka thënë ndër të tjera Eugen Cakolli nga KDI.
Ndryshe bazuar në rregulloren e Kuvendit të Kosovës thuhet se anëtari i Kryesisë nuk mund të jetë kryetar i Komisionit parlamentar.
Po ashtu siç bëhet e ditur në rregullore, Kryesia e Kuvendit kërkon nga secili grup parlamentar, i përfaqësuar në Kuvend, t’i propozojë kryetarët, zëvendëskryetarët dhe anëtarët e komisioneve.
Ndërkaq, një deputet nuk mund të jetë anëtar i komisionit parlamentar si dhe grupet parlamentare i propozojnë kryetarët për komisione, në përputhje me marrëveshjen e arritur në Kryesi.
“Në marrëveshjen për caktimin e posteve të kryetarë të komisioneve, Kryesia e merr parasysh proporcionin e forcës së grupeve parlamentare”, thuhet në rregullore e Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/