Diçka e papritur ka ndodhur me Kosovën në UEFA. Shtëpia e futbollit evropian i ka dhënë fitore në tavolinë Përfaqësueses U-21 të Kosovës ndaj Norvegjisë.
Në fakt, norvegjezët të hënën në Drammen mposhtën kosovarët me rezultat të thellë 5:0, në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian “Italia 2019”. Por, një pakujdesi e tyre e ka shtyrë UEFA-n që këtë takim ta regjistrojë me rezultat zyrtar 0:3 në favor të Kosovës.
Krejt kjo ka ndodhur për shkak të Kristoffer Ajer, i cili në ndeshjen kundër Kosovës debutoi me Norvegjinë U-21. Talenti i Celticut më herët ka luajtur për Norvegjinë U-19.
Ndeshjen e fundit me këtë grupmoshë e kishte zhvilluar kundër Spanjës, në të cilin takim i ishte treguar kartoni i kuq pasi ishte ndëshkuar paraprakisht dy herë me karton të verdhë.
Sipas rregullave, kartonët i barten futbollistit edhe kur ai kalon në një grupmoshë tjetër. Ndërsa Ajer luajti kundër Kosovës edhe pse nuk kishte të drejtë loje. Kjo parregullsi nuk ka shpëtuar pa u identifikuar nga UEFA.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka thënë “Zërit” se kjo ndeshje tashmë është e regjistruar me rezultat zyrtar 3:0 për Kosovën, ndërsa po e pret informimin zyrtar nga UEFA.