Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka njoftuar se fondi i bizneseve prej 5 milionë eurosh do të fillojë zbatimin prej të hënës.
Ai ka sqaruar se “çdo biznes i cili ka qarkullim deri në 50,000 euro në vit e që ka pësuar humbje nga pandemia do të mund të aplikojë për ndihmë në formë granti nga Komuna e Prishtinës”.
Aplikimi do të jetë online dhe do të qëndrojë i hapur për 10 ditë, nga 23 nëntori.
“Në momentin që aplikoni, sistemi do të bëjë lidhjen me të dhënat e Administratës Tatimore, për ta lehtësuar edhe formularin në mënyrë që mos të humbet kohë në mbushjen e të dhënave. Qëllimi i grantit nuk është luftimi i joformalitetit, prandaj nuk kërkojmë dëshmi të tatimeve të paguara e punëtorëve të regjistruar. Megjithatë, veprimtaria e biznesit që aplikon duhet të jetë në listën e veprimtarive të ndaluara gjatë këtij viti apo në veprimtaritë që indirekt janë prekur negativisht nga mbyllja. Ndarja e fondeve do të jetë transparente, dhe meqenëse aplikimi është online, procesi mund të monitorohet nga organet e Komunës, Ekzekutivi dhe Kuvendi Komunal në çdo kohë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.