Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka njoftuar se në takimin e sotëm me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, është diskutuar të zgjatet orari i klubeve të natës, nga ora 23:00 deri në orën 03:00 të mesnatës, raporton Ekonomia Online.
Ky vendim do të hyjë në fuqi të mërkurën e javës së ardhshme, kështu ka thënë në një bisedë me Ekonomia Online, Veton Zuka, nga kjo shoqatë.
“Kafiteritë, restorantet do të punojnë në bazë të rregulloreve qysh është e paraparë me ligj me komuna. Përndryshe gjatë takimit me ministrin Vitia i bie që nga mesi i javës tjetër të merret vendimi për të zgjatur orarin e klubeve të natës që të jetë në proporcion me orarin e lokaleve ose bareve. Domethënë fillon prej orës 23:00 deri në ora 03:00 të mesnatës klubet e natës kurse baret, restorantet gastronomia në përgjithësi kanë me qenë me rregullore deri në ora 00:00 të natës. Është menduar të hyjnë në fuqi këtë javë. Por sipas të gjitha gjasave Qeveria është bajagi e zënë me agjendë kështu që sipas Ministrit Vitia dalim me vendime të mërkurën e javës së ardhshme ku edhe fillon orari i ri”, tha Zuka.
Megjithatë, ai tha se çdo person që nuk është i vaksinuar me dozën e parë të vaksinës nuk do të lejohet të hyjë në kafene, qendra tregtare, bare, restorante dhe klube të natës.
“Po punojmë me një vetëdijesim të popullatës dhe stafit të gastronomëve në mënyrë që të jenë të vaksinuar të gjithë. Përndryshe do të vije një vendim që do të jetë me restriktiv që kush nuk është i vaksinuar me dozën e parë të mos lejohet të hyjë në klub të natës, qendra tregtare dhe bare në mënyrë që na përveç si pronar me staf të vaksinuar të mos lejojmë të shpërndajmë virusin dhe motacionin e ri të deltës. Staf do të shtojmë por gjithmonë do të jetë sigurimi që do të kërkojë vërtetimin për vaksinim. Ne jemi duke bërë thirrje që sa më shumë të vaksinohen njerëzit dhe popullata që të mos na bëjë problem variant delta”, tha ai.
Mes tjerash, Zuka shtoi se nëse lejohet të vije deri te mbyllja dhe njerëzit nuk vaksinohen do të jetë dëm i madh për bizneset dhe gastronominë.
“Frika ka qenë non-stop dhe po shpresojmë tash me këtë vetëdijesim në mënyrë që të mos vije deri te mbyllja. Ndryshe nëse lejojmë të vije deri te mbyllja përkundër që ka vaksina dhe njerëzit nuk vaksinohen është dëm shumë i madh për bizneset dhe gastronomia”.