Nga frika te dëshmia: Udhëtimi i Aziz Beqirit drejt zbulimit të masakrës së Reçakut

Prishtinë | 17 Jan 2026 | 13:03 | Nga Ekonomia Online

Në agimin e 15 janarit 1999, kur krismat mbuluan fshatin Reçak dhe forcat serbe nisën ofensivën mbi lagjet e banuara, rrëfimi i Aziz Beqirit u shndërrua në dëshminë kyçe që do ta nxirrte në dritë një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë.

Nga ikja nën breshërinë e plumbave, te kthimi në fshat në errësirë dhe zbulimi i kufomave të civilëve të masakruar, Beqiri përshkroi në një rrëfim për Ekonomia Online, hap pas hapi momentet që çuan në alarmimin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe në shpalljen e Masakrës së Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Beqiri, nga fshati Reçak i Komunës së Shtimes, tha se ofensiva kishte nisur herët në mëngjes, kur forcat serbe hynë në lagjen e tij dhe hapën zjarr ndaj tij ndërsa përpiqej të largohej për t’i shpëtuar rrezikut.

“Me 15 janar në ora 06:45 minuta kanë marrë ofensivë serbët në lagjen time. Kur mora vesh se ne kemi fjetur edhe vesh, i dëgjova krismat e dola deri në derë, po them paskan hi serbët, unë duhet të shkoj për Luzhak, se unë isha i rrezikuar. Atëherë janë koncentrua nga shpati i shtëpisë time, më kanë parë mua dhe më kanë gjuajtur për nja 30 plumba. Kam ik te një vend simal me pushu pak, duke pushuar se jam mbushur frymë. I dëgjoja mbi shtëpi time duke bërtitur ndërmjet vete duke gjuajtur. Rrugës jam takuar me nja 8 ushtarë (të UÇK-së), jemi taku edhe me komandantin e brigadës, Ahmet Kqiku ka qenë. Hajde, tha, se po dalim me rezistuar qatje përmbi shtëpinë time. Aty treguan se ka pasur të vrarë e të plagosur, ushtarë të UÇK-së”, tha ai.

Në kërkim të familjarëve, Beqiri tregoi se ishte nisur drejt Petrovës dhe Luzhakut, duke pyetur për fatin e tyre dhe duke dëgjuar lajmet e para për masakrën.

“Mbeta pastaj për me marrë vesh për familjarët e mi se a kanë shpëtuar a çka ka ndodhur me ta. Jam dalë në Petrovë, jam takuar me Halimin, thash Halim mos ke marrë vesh naj sen a i ke parë familjarët e mi. Me ta kam parë shumë në Reçak, po familjen tënde jo. Çka me ba, u takova edhe me një kushëri timin, e pyeta edhe atë, më tha jo. Në shtëpi kemi qenë e gjithë lagjja jonë, se ka qenë Ramazan. Halimi po vjen me mua, me shku në Luzhak, shkum, po e shoh Rexhën, pyeta për familje, krismat nuk u ndalshin. Më thanë jo nuk ka agjë. U bë një kohë si mas dreke, një po vjen nga një ledin poshtë, e pyeta se a din për Reçak çka ka ndodhur, tha në Reçak kanë vrarë shumë”, rrëfen ai.

Ai tregoi se në mbrëmje, së bashku me Halim Hysenjan, janë futur në fshat për të parë gjendjen dhe kanë gjetur familjarët e strehuar te fqinjët, ndërsa më pas kanë nisur kërkimin e të vrarëve.

“Ja nisi me u ba terr, unë i thash Halim du me hy në Reçak e me marrë vesh çka u ba në Reçak, e me lajmëruar te Fehmi Mujota, ka qenë në shtab. Halimi tha edhe unë kam me ardh me ty, i thash ma bre Halim se po ma sheh sherrin se mos kanë minuar vendin serbët. Nja dy kilometra i kishim ne, ashtu nëpër terr, kur shkum pak pa hyrë në katun hym nëpër mal, hynëm katun, shkum në lagjen tem. Në shtëpinë time nuk ishin familja, kishin hyrë te disa kojshi, disa ndër shkallë, disa në bodrum ishin bërë bashkë. E takova edhe një kushëri, thash Gjem çka është puna te na apo e din, tha po e kanë vra vllaun edhe djalin e vllaut. A i keni tërhequr kufomat i pyeta, tha janë në odë të Shefqetit. Kemi shku me i parë. Kam dal gjithë natën, i kemi tubuar të vrarë 17, të plagosur 13, të kidnapuar 29, 29 se nuk e dinim se çka ka ndodhur me ta, a i kanë marrë i kanë dërgua në stacion, po ata i kishin pas vrarë. I morëm emrat e mbiemrat, në letër i kam, edhe u kthyem ne apet. Halim thash ish ba nami në fshat. Emrat (e kufomave) i kemi marrë me i informuar vëzhguesit (e OSBE) që me hy nesër me herët se mendonim që po hynin serbët e po i marrin, po i veshin me uniforma (të masakruarit) që kemi vrarë terroristë”, tha ai.

Ai tregoi se vëzhguesit kishin marrë të plagosurit për mjekim dhe se kishte njoftuar komandën për numrin e viktimave.

“Të plagosurit i kanë marrë vëzhguesit e i kanë dërguar për mjekim. Me Halimin kam shkuar për Luzhak, i bie nja 2 kilometra nga fshati jonë për në mal. Kemi hyrë te komandanti i njësisë speciale, ka qenë Isak Ismaili, po i tregojmë se i kanë vrarë 17, 13 i kanë plagosur, 29 i kishin marrë. Tha sipas vëzhgimeve nuk kanë marrë me dërgua në Ferizaj, por për ta, tha, i kanë vrarë. Tha është mirë me hy me pastruar terrenin, tha se edhe ne do të hyjmë mos ka të plagosur. Tha po i lëshoj 5 ushtarë në siguri të juajen. Halimit ia dhash letrën, i thash qoja Fehmiut, lajmëro këta që janë të vrarë e të kidnapuar, por thuaj që nuk është numri i saktë. Shkoj ky”, tha ai.

Në kërkim të mëtejshëm rreth fshatit, Beqiri tha se kishte zbuluar edhe vendin e masakrës dhe kishte mbledhur prova për t’i informuar vëzhguesit.

“I kam marrë nja 4 veta, ka qenë Shefqet Muslia, Gafurr Shaqiri, ka qenë Imer e Izer Emini edhe unë. Kemi hyrë përreth fshatit, duke kërkuar. Duke hecur po më thirr Shefqeti: hajde nalt. Thash pse, tha po i paskan vra këtu krejt. Jam ngjitur, ka pasur që nuk i kam njohur, si mbrëmë kam qëndruar me ta, aty nuk i njoha se i kishin masakruar. Jam ulur se mu murrën mend, thash të marrim shënime, me emra që t’i lajmëroj, t’i vijnë vëzhguesit se mos po hyjnë serbët. Emrat, mbiemrat, krejt i kam. 24 veta janë vrarë aty, 5 kanë shpëtuar”, tha ai.

Ai përshkroi edhe momentin kur vëzhguesit dhe gazetarët ndërkombëtarë u alarmuan, si dhe ardhjen e ish-ambasadorit William Walker.

“Tash u nisëm me dërgu letrën te Fehmi që edhe 24 janë të vrarë. Duke shkuar rrugës te shkolla ishin vëzhguesit. I lajmëruam vëzhguesit, na thanë a po ktheni me na tregu, ne pastaj nuk shkuam te Fehmiu. Njëri nga vëzhguesit e ka pas një laptop, u ul edhe po fol me dikë, me qendër. Pas një kohe hynën edhe gazetarë, u alarmua situata. Pastaj erdhi një helikopter, erdhi te na, ai ka qenë i milicisë, erdhi edhe po na thirr ai mos u frikoni se nuk po besojnë që kanë bërë masakër, po fotografojnë. Ambasadori Walker ka ardhur më 16 janar ora 13:30. Me Fehmi Mujotën kanë hyrë, ka shkuar, ka pasur njerëz pa kokë. Ka thënë (ish-ambasadori William Walker): po e dimë se çka është Serbia, unë do ta informoj këtë rast qysh është, pastaj nga mbrëmja ai e ka shpallur masakër edhe krim kundër njerëzimit”, tha ai.

Ai foli edhe për përpjekjet për mbledhjen dhe mbrojtjen e kufomave, përballë rrezikut të rikthimit të forcave serbe.

“Kemi kërku ndihmë me i mbledh kufomat, i kemi dërguar në xhami, i kemi kthyer mbrapa, i kemi mbuluar me nga një peshqir apo çka ka pasur. U fol se serbët dojnë me hy me i marrë kufomat, unë nuk besoja se thoja çka po ju duhen. Jemi shkuar te xhamia, përkthyesi ka folur me atë diçka, bac tha a po vini me neve a po ndalesh me katun se serbët po dojnë me hy me i marrë kufomat me dhunë, me luftë. Thash jo se krejt familjen i kam. Serbët kanë hyrë, jam ba me disa, jam hy me një shtëpi, jam fshehur, kemi qenë aty 20 veta. Vëzhguesit janë tërhequr se nuk ka pasur siguri. Ushtarët tanë kanë thënë nuk i lëshojmë kufomat pa luftë. Ka pasur luftime më 17, 18 edhe më 19, më 18 i kanë marrë kufomat me luftë. Më 19 janar 1999 është vrarë edhe komandanti i brigadës Ahmet Kaqiku, i kanë marrë kufomat, i kanë mbajtur një muaj ditë (në morgun e Prishtinës) deri më 11 shkurt 1999. Duke i bërë verifikim, pranon nga 5, 10, dojnë me i veçu, jo me i marrë krejt kufomat për një herë. Ne i qitshim kushte që krejt për një herë me i kthy dhe me i varros krejt për një ditë”, tha ai.

Për fund, Beqiri tregoi se trupat e viktimave u kthyen dhe u varrosën me ndihmën e gjithë Kosovës.

“Erdhën kufomat më 10 shkurt, i kemi vendosur në xhami, i vendosëm në arkivole, Zekeria Cana ka marrë pjesë aty, nga Këshilli i Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, arkivolet i ka blerë ai. Të nesërmen pastaj kanë marrë pjesë krejt Kosova, na kanë ndihmuar edhe në varrim edhe në ngushëllime. I kemi varrosur, me marrëveshje kemi pasur afat deri në ora 17:00 në mbrëmje me i varros dhe me u tërhequr, me lëshuar fshatin”, tha ai.

Edhe Halim Hysenja nga fshati Petrovë i Komunës së Shtimes theksoi rëndësinë e këtij rrëfimi për zbulimin e së vërtetës.

“Gjendja ka qenë shumë e vështirë, janar, ditë e ftohtë, po të mos ishte Azizi e mos të ishte familja e tij e ngujuar në Reçak, ne as nuk do të kishim hyrë aty. Për shkak të familjes u desh me hy e u zbulua masakra, e vërteta u zbulua. Ata i pas dërguar Zoti në xhenet. Drejtësi ende nuk ka për ta, mirëpo shpresojmë që vijnë ditë edhe më të mira”, tha ai.

Masakra e Reçakut është një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë, që mbetet plagë e hapur në kujtesën kolektive të vendit.

Më 15 janar 1999, forcat policore serbe, njësitë ushtarake dhe formacionet paramilitare serbe hynë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, ku vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë.

Viktimat u ekzekutuan në rrethana që tronditën opinionin vendor dhe ndërkombëtar.

Masakra u bë e njohur për botën pas reagimit të menjëhershëm të atëhershëm të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili, pasi pa nga afër trupat e pajetë të civilëve, ngriti alarmin për krime të rënda kundër njerëzimit që po kryheshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Reçaku u shndërrua në simbol të vuajtjes dhe sakrificës së popullit të Kosovës, por edhe në një moment kyç që ndikoi në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për realitetin e luftës, duke hapur rrugën për zhvillime vendimtare në fundin e saj.

Të ngjashme