Nga fronti i luftës në frontin e informimit

Prishtinë | 29 Nën 2023 | 10:26 | Nga Ekonomia Online

24 vjet më parë ishin në front të luftës. E tani, janë në front të informimit.

Lumturie Blakaj dhe Vlorë Fetoshi, 24 vjet më parë ishin pjesëtare të UÇK-së, në betejë për liri, e sot janë pjesëtare të RTK-së, në përpjekje që bashkëkombësit të informohen drejt e saktë.

Redaktorja e lajmeve, Lumturie Blakaj, ishte pjesë e UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit. Por këtë kurrë nuk e përmendi.

“Pikërisht me 28 nëntor edhe të vitit, edhe ‘98 edhe ’99, kam qenë në rajonin e Dukagjinit, nën uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka qenë një emocion dhe ndjenjë shumë e veçantë, ndoshta nuk kemi mundur me bë aq sa duhet, megjithatë gjithsecili në formën e vet besoj se e ka dhënë kontributin siç është më së miri që ne të kemi shtetin tonë”, tha Blakaj.

Ajo që para shikuesve të RTK-së, përcjell informacionet është ish-ushtarja tjetër e lirisë, Vlorë Fetoshi. Në këtë ditë të veçantë, edhe sot është në krye të detyrës.

Pashmangshëm, emocionet janë ato që e pushtojnë. Përveç babait të vrarë nga serbët, as Vlora kurrë nuk deklaruar se ishte pjesë e UÇK-së në Kleçkë.

“Për mua në moshën të cilën kam qenë, ka qenë ndoshta vepra dhe veprimi im më i rëndësishmi që kam mundur të bëj dhe që mundem me bë ndonjëherë”, tha Fetoshi.

Sidoqoftë, tani në një ditë si kjo, në liri, japin kontributin e tyre për vendin, por në një mënyrë tjetër, përmes transmetuesit publik.

Të ngjashme