Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, në një përgjigje për Gaztën Express ka konfirmuar se në Qendrën e Paraburgimit në Hagë ka individë që kanë rezultuar pozitiv me COVID, megjithatë ajo ka thënë se për shkaqe të ruajtjes së privatësisë nuk mund të flasin për emrat.
“Për shkaqe privatësie, ne nuk mund të komentojmë në statusin e COVID të individëve që janë në qendrat e paraburgimit. Sido që të jetë, ne mund të konfirmojmë që disa kanë rezultuar pozitiv në test”, ka thënë Griep.
Ajo tutje ka treguar se secilit person që ka rezultuar pozitiv me COVID i jepet shërbim i plotë mjekësor, përfshirë edhe të paktën dy vizita në ditë.
Në fund Griep ka thënë se shërbimi mjekësor i Dhomave të Specializuara e monitoron nga afër gjendjen.
“Shërbyesit mjekësor janë të përkushtuar plotësisht dhe çdo person që ka rezultuar pozitiv është duke marr shërbim të plot mjekësor përfshirë edhe vizitë nga zyrtari mjekësor të paktën dy herë në ditë. Shërbimi mjekësor e monitoron situatën nga afër”, ka thënë në fund Angela Griep.
Të mërkurën ndërkohë RTV Dukagjini të thirrur në burimet e tyre kanë raportuar se në Qendrën e Paraburgimit në Hagë janë infektuar me COVID, Rexhep Selimi dhe Nasim Haradinaj.
“Së paku dy prej ish-drejtuesve të UÇK-së kanë rezultuar pozitiv në testet e coronavirusit. Derisa pritet të analizohen edhe mostrat tjera për të parë nëse janë të prekur edhe personat e tjerë që po mbahen në qendrat e paraburgimit të Hagë”, i kanë thënë burimet RTV Dukagjinit.