Nga një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për shpëlarje të parave

Prishtinë | 27 Sht 2024 | 19:20 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të pandehurve V.C dhe Sh.C., të cilët u arrestuan nën dyshimin për shpëlarje të parave.

Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e PSRK-së për caktimin e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, raporton Betimi për Drejtësi.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit V.C dhe Sh.C në bashkëkryerje që nga periudha kohore nga viti 2011 e në vazhdimësi, duke bashkëvepruar nëkoordinim me njëri-tjetrin dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore në shkallë të madhe për vete, nga aktiviteti kriminal, i cili ndërlidhet kryesisht me falsifikimin e dokumenteve, mashtrime si dhe legalizimet e përmbajtjes së rreme, përmes të cilave kanë bartur në mënyrë të kundërligjshme pronësinë e paluajtshmërive të shumta në territorin e Komunës së Prishtinës, në zona të ndryshme të kryeqytetit, të cilat më pas i kanë shitur ose tjetërsuar në mënyra të ndryshme, duke krijuar pasuri të shpejtë për veten”, thuhet në njoftim.Me këtë, V.C dhe Sh.C., dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të pastrimit të parasë nga neni 302 lidhur me nenin 31 dhe 81 të KPRK-së dhe lidhur me nenin 56 (paragrafi 1) të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe i pandehuri V.C., dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Të ngjashme