Nga një muaj paraburgim për aktivistët e SKV-së

Prishtinë | 14 Pri 2018 | 21:07 | Nga

Gjykata Themelore e Prishtinë ua ka caktuar nga 1 muaj paraburgim gjashtë aktivistëve të organizatës studentore “Studim, Kritikë, Veprim” (SKV).

Të gjashtë aktivistët Korab Muhadri, Pajtim Demaj, Hajredin Krasniqi, Kreshnik Gega, Januz Shatri dhe Endrit Shatri, u dënuan për të arsyetuar dhunën brutale të përdorur nga policia e porositur, thuhet në një reagim të kësaj organizate.

“Kjo masë e paraburgimit vjen pas dhunës dhe arrestimeve, të studentëve aktivistë natën e 12 prillit, gjatë shënimit të 8 vjetorit të themelimit të STUDIM KRITIKË VEPRIM. Në Parkun e Qytetit, rreth orës 22:00, gjatë video prezantimit të dokumentarit në aktivitetin tonë u paraqitën dy pjestëar të policisë të cilët kërkuan lejen dhe të ulej zëri për muzikën që po luhej. Studentët i paraqitën policisë dokumentacionin si dhe e ulën zërin duke vazhduar aktivitetin të qetë. Vetëm pak kohë më pas u paraqitën dy policë të tjerë të cilët filluan të provokonin duke ofenduar, ngritur zërin edhe duke shfaqur arbitraritetin dhe arrogancën e tyre edhe pse studentët kishin rënë tashmë dakord të grumbullonin sendet dhe të lëviznin nga parku. Edhe pse situata u qetësua disa herë, njëri prej policëve me numrin 9986, vazhdonte provokimet dhe sharjet, duke kërkuar të arrestoheshin studentët organizatorë të aktivitetit, pa kurrfarë sqarimi prapa kërkesës së tij”, thuhet në reagimin e SKV-së dërguar medieve, në orët e mbrëmjes.

“Mediat e pushtetit, siç duket qysh nga ajo natë filluan përgatitjen e skenës me shpifje, në mënyrë që vendimi nga Gjykata, pas dhunës brutale të Policisë, të ishte kaq i ekzagjeruar, për një aktivitet të thjeshtë të studentëve. Natën e 12 prillit, vetë njëri nga policët ishte deklaruar për Kohën Ditore, që nuk ishte gjetur asgjë në vendin e ngjarjes, ndërsa në anën tjetër mediat tendencioze publikonin lajme në të cilat rrejshëm përmendeshin narkotikët”.

“Aktiviteti para ndërhyrjes së qëllimshme të policisë, ishte i qetë. Ishte represioni policor ai që ndryshoi anasjelltas rrjedhën e aktivitetit”, vazhdon reagimi.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), nga intervistimi, shikimi i dosjeve policore, i evidencave mjekësore dhe observimi, ka deklaruar se gjatë fazës së arrestimit të aktivistëve, transportimit të tyre me makina të policisë madje edhe gjatë qëndrimit në Stacionin Policor në Prishtinë, është përdorur dhunë fizike dhe ofendime si fyerje, sharje e kërcënime. “Ky vendim i Gjykatës është vetëm një tentativë e ulët, për të mbuluar lëndimet të cilat i janë shkaktuar aktivistëve tanë”.

SKV i bën thirrje Gjykatës të dënojë policët të cilët e keqpërdoren detyrën zyrtare, ndërsa prokurorisë të fillojë hetimet për tejkalimet e të gjitha kompetencave dhe torturimit të studentëve nga ana “e pjesëtarëve të porositur të policisë”. Ndërsa kërkon që studentët menjëherë të lirohen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme