Nga PDK tregojnë nëse do të shkojnë në takimin e thirrur nga Osmani

Prishtinë | 14 Nën 2022 | 13:03 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës do të shkojë në takimin konsultativ të thirrur nga presidentja Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

Drejtori i komunikimit i Partisë Demokratike të Kosovës, Valmir Klaiqi tha se në këtë takim do të shkojë sekretari për organizim dhe zgjedhje, Betim Gjoshi.

Për dallim nga PDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë në këtë takim.

Sipas tyre, duhet të reflektohet mbi kërkesat që ata kanë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale; Institucionet e Kosovës: Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet në të gjitha nivelet, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në insitucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë; Qeveria të nisë komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar; Të kërkohet një Samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (takim disaditor), deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje reciproke Kosovë-Serbi”, thuhet në postim.

Express ka kontaktuar edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të marrë një përgjigje se a do të shkojnë në takim, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Kujtojmë që në Veri pritet të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme pasi kryetarët e katër komunave atje kanë dhënë dorëheqje pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.

Të ngjashme