Projekti shumë i përfolur për Qendrën Nacionale të Xhudos ka dështuar, por në Federatën e Xhudos së Kosovës janë të vendosur që të ofrojnë kushte më të mira për stërvitje të sportistëve elitarë të vendit.
Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova dhe xhudistët e tjerë elitarë të vendit ushtrojnë në palestrën e klubit Ippon në Pejë.
Ndonëse palestra është fare e vogël, në të vazhdimisht ushtrojnë 30 e 40 xhudistë. Derisa ekipi i Kosovës në xhudo po rritet vazhdimisht, kërkesa për më shumë hapësirë është e vazhdueshme, shkruan sot Koha Ditore.
Për të ofruar hapësirë më të madhe për stërvitje të xhudistëve, është vendosur që të ndërtohet një palestër e re vetëm për xhudo, që do të jetë afërsisht dy herë e gjysmë më e madhe se palestra aktuale. Palestra e klubit Ippon është në pronën e familjes Kuka, përkatësisht në pronën e trajnerit Driton Kuka dhe kryetarit të Federatës, Agron Kuka. Ajo është ndërtuar gjatë viteve nëntëdhjeta.
Edhe hapësira ku do të ndërtohet palestra e re ishte pronë e familjes Kuka. Por ajo është bartur në emër të Federatës së Xhudos së Kosovës për të bërë të mundur ndërtimin e palestrës së re. Palestra do të ndërtohet nga Federata e Xhudos e Kosovës, me mjetet që ajo i siguron nga sponsorët dhe burimet e tjera. Këtë e ka bërë të ditur të premten Driton Kuka, trajneri i ekipit të Kosovës në xhudo dhe iniciatori i shumë projekteve që mundësuan ngritjen e xhudos kosovare në nivelin më të lartë ndërkombëtar.