Qeveria e Kosovës ka reaguar pas raportimeve se me Ligjin e Ri për Byronë Shtetërore, mund të konfiskohet edhe pasuria e mërgimtarëve.
Zv/ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se Byroja Shtetërore do të verifikojë dhe propozojë konfiskimin e pasurisë së personave që janë zyrtarë apo anëtarët e të familjes së tyre, personat e ekspozuar si dhe palët e treta nëse ka dyshime se pasuria e paligjshme ka kaluar tek ata.
Ai ka thënë se Byroja mund të verifikojë pasurinë edhe të personave që janë familjarë të zyrtarëve, pavarësisht vendit ku ndodhen ata, e nëse ka indicie që pasuria e paligjshme ka kaluar tek ta.
“Kjo assesi nuk ka të bëjë fare me pasurinë që me punë e mund e ka bërë diaspora jonë”, ka thënë Sallahu.
Postimi i plotë:
Duket që qëllimshëm po plasohen nga disa portale, informata të pasakta e interpretime të gabuara lidhur me projektligjin për themelimin e Byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Andaj, është e domosdoshme të sqarohet se:
Së pari, Byroja Shtetërore do të verifikojë dhe propozojë që të konfiskohet vetëm pasuria e fituar në mënyrë të pajustifikueshme nga personat zyrtarë/anëtarët e familjes së tyre/personat e ekzpozuar politikisht dhe palët e treta kur ka dyshime se pasuria e paligjshme ka kaluar tek këta të fundit.
Së dyti, me këtë projektligj do të saktësohet se verifikimi i pasurisë dhe propozimi për konfiskim nga Byroja drejtuar Gjykatës kompetente bëhet vetëm nëse ka shpërputhje mes të ardhurave financiare dhe pasurisë së krijuar nga personat zyrtarë.
Së treti, ky projektligj përcakton qartë se Byroja ka të drejtë të verifikojë pasurinë edhe të familjarëve të personave zyrtarë vetëm nese paraprakisht ka indicie që pasuria e personit zyrtar ka kaluar te familjarët e tyre kudo qe gjenden ata. Kjo assesi nuk ka të bëjë fare me pasurinë që me punë e mund e ka bërë diaspora jonë!
Së katërti, secili që konsideron që ky projektligj është në kundërshtim me konceptin e prezumimit të pafajësisë, nuk ka as njohuri bazike për ndarjen dhe zbatimin procedurës civile dhe penale dhe me shpjegimin e saktë të konceptit të konfiskimit civil të pasurisë.
Së pesti, në këtë projektligj kanë punuar ekspertë vendorë dhe nderkombëtarë, duke u kujdesur që çdo dispozitë të jetë në përputhje me konventat nderkombëtare e Kushtetutën tonë.
Kohë të gjatë vendi ynë ka pasur nevojë për një ligj të tillë, që përfundimisht i jep fund pasurimit të paligjshëm në kurriz të qytetarëve!.