Nga rajonet në Damask dhe Idlib evakuohen mijëra persona

Prishtinë | 19 Pri 2017 | 14:13 | Nga

Rreth 3.700 njerëz janë evakuuar nga Damasku dhe Idlibi në kuadër të negociatave për evakuimin e njerëzve nga disa zona nën rrethim në mes të regjimit të Bashar al Asadit dhe opozitës.

Gazetarët e AA-së në Idlib njoftojnë se nga zonat e rrethuara të Damaskut, Madaja, Bikkin, Zebedani, Xhebel Sharki dhe Ajn el-Fixhe, evakuimi është realizuar në orët e mëngjesit. Rreth 700 civilë dhe ushtarë në një kolonë prej dhjetë autobusësh lëvizin drejt postbllokut të regjimit në fshatin Ramus, Halep. Pas kontrollit, autokolona do të shkojë në Idlib.

Nga ana tjetër, nga Idlibi, konkretisht zonat e rrethuara nga forcat e regjimit Fua dhe Kefreja, janë evakuuar 3.000 njerëz të cilët kanë ardhur në postblloqet e opozitës në fshatin Rashiddin në Halep.

Përveç kësaj, pritet që së bashku me personat e evakuuar nga zonat e opozitës në Damask të lirohen edhe 750 të burgosur nga burgjet e regjimit.

Javën e kaluar, në përputhje me marrëveshjen e arritur mes regjimit dhe opozitës ushtarake, u evakuuan 7.350 njerëz nga Madaja, Zebadani, Fua dhe Kefreja.

Për shkak të presionit të regjimi në evakuimin e një numri të madh të njerëzve nga Fua dhe Kefreja pas marrëveshjes, u shkaktua problem gjatë evakuimit, ndërsa teksa autokolona po priste në postblloqe, ndodhi sulm me bombë i cili vrau më shumë se 100 njerëz.

Evakuimi përfundoi pas sulmit, ndërkohë që askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili u dënua nga opozita siriane.

Negociatat mes regjimit dhe opozitës në lidhje me evakuime të reja ende vazhdojnë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme