Brenda një viti, qytetarët kanë raportuar 119 gropa në platformën online “ndreqe.com”, të menaxhuar nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”. Por autoritetet komunale deri tashti kanë mbyllur vetëm 33 gropa.
Këtë gjë e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” Jetmir Bakija, nga ekipi menaxhues i Platformës “ndreqe.com”, e cila është mundësuar nga organizata joqeveritare “Demokracia Plus”. Përmes saj synohet raportimi dhe përmirësimi i së paku gjashtë llojeve të shërbimeve publike komunale, në mesin e të cilave është edhe ajo për gropat në rrugë, shkruan sot Koha Ditore.
Bakija ka bërë të ditur se numri i këtyre rasteve është raportuar gjatë një viti (nga pranvera e vitit të kaluar, deri tash), ndërsa në këtë grup përfshihen edhe pusetat e ujit.
Por sipas tij në vetëm 33 raste ka intervenuar Komuna, duke sanuar këto gropa, në vendet e raportuara nga qytetarët.