Komuna e Skenderajt ka shpenzuar vitin që shkoi për rrymë 157 082 euro, për ushqim e pije dhe dreka zyrtare 70 mijë euro, ndërsa nga participimi për 134 882 vizita mjekësore dhe për 187 009 shërbime shëndetësore, për të cilat paguhen nga 1 deri në 15 euro, nuk ka arritur t’i arkëtojë më shumë se 19 870 euro
Komuna e Skenderajt ka shpenzuar për rrymë në vitin 2016 mbi 157 mijë euro, që sipas këshilltarëve të opozitës bëjnë sa ndërtimi i 15 shtëpive, apo sa harxhojnë rrymë 3 mijë familje, shkruan gazeta “Zëri”.
Qazim Xani, këshilltar komunal nga AAK-ja, ka bërë një krahasim sipas të cilit me 157 mijë euro do të mund të ndërtoheshin 15 shtëpi për të pastrehët, apo që me 157 mijë euro do t’i mbulonin shpenzimet e rrymës 3 000 familje drenicase.
Drejtori për Ekonomi e Financa, Ismet Aliu, tha se ndryshimet kanë ndodhur tek subvencionet me të cilat bujqve u janë kompensuar dëmet e shkaktuara nga përmbytje në shumën prej 30 950 euro, si dhe 49 950 euro për kompensimin e dëmeve nga breshëri, si dhe për financimin e projektit të rrugës në Polac (136 882 euro) dhe diferenca prej 76 367 euro për mbulimin e pagave.
Ai precizoi se të hyrat vetjake janë më të larta për 27 për qind, ndërsa shpenzimet kanë shënuar rritje për 3.6 për qind.