Pos bojkotimit të punës në Kosovë ka filluar të bojkotohet edhe mësimi.
Kështu Këshilli i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore ka marrë vendim që të bojkotojë procesin mësimor.
Studentët se bashku me profesorët kërkojnë ndërtimin e objektit të ri të fakultetit të tyre pasi objekti i tanishëm sipas tyre nuk u përmbush nevojat.
“Tash e dhjetëra vite jemi të detyruar që ligjëratat, ushtrimet në laboratorët e improvizuar, e të gjitha mësimet ti mbajmë në bodrumet e Fakultetit të Filologjisë, hapësira të mbuluara nga myku, në kushte të tmerrshme, e ndonjëherë edhe në mungesë ndriçimi (pra vetëm me qirinj)”
“Pasi format e tjera ligjore nuk janë të mjaftueshme për shtetin tonë që ata të japin për ne zgjidhje konkrete, as për ne nuk janë të mjaftueshme premtimet e tyre boshe. Kështu, ne jemi të detyruar që të shfrytëzojmë bojkotin si mjet të fundit, aspak të favorshëm për ne, por gjithmonë më pak i dëmshëm sesa vazhdimi i studimeve në një ndërtesë ku përveç rrezikimit të shëndetit sot, as e nesërmja nuk duket e ndritur”, shkruhet në komunikatën e dërguar nga ky këshill studentor.
Ky bojkot do të fillojë nga semestri i dytë i vitit akademik më saktësisht nga 18 shkurti dhe do të vazhdojë derisa sa të ofrohet një zgjidhje konkrete ndaj kërkesave, njofton Klan Kosova.