U lansua për herë të parë në Kosovë projekti për skriningun e kancerit të qafës së mitrës në komunën e Prishtinës.
Ky pilot projekt është pjesë e Programit Nacional për Kontroll të kancerit të qafës së mitrës në Kosovë.
Projekti synon që të shërbejë si model në krijimin dhe implementimin në tërësi të programit nacional të skrininigut të kancerit të qafës së mitrës në Kosovë.
Me rastin e pilotimit, rreth 2 000 gra do të kontrollohen pa pagesë nga Komuna e Prishtinës.
Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit në mes të Drejtorit Komunal për shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Prishtinës, Bordit Nacional për kontrollin e Kancerit, Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Institutit të Anatomisë Patologjike pranë Qendrës klinike Universitare të Kosovës dhe mbështetët nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara –UNFPA, Organizata Botërore e Shëndetësisë-OBSH dhe Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.
Drejtuesja e Fondacionit, Mrika Aliu, ka thënë se këtë shërbim nuk e kanë ofruar deri tani qendrat e mjekësisë familjare në kryeqytet andaj e kanë parë të nevojshme që skriningu duhet t’iu mundësohet të gjitha femrave duke parë paraqitjen e sëmundjes së kancerit gjithnjë e më shumë.
Aliu theksoi se ky lloj kanceri mund të shërohet nëse zbulohet me kohë, andaj ky shërbim është mëse i nevojshëm.
Nga sot skriningun e qafës së mitrës e ofron Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare që gjendet në qendër të Prishtinës si dhe dy qendrat tjera ajo në Dardani dhe në Breg të Diellit.
Pap-testi është falas derisa atë mund ta bëjnë të gjitha femrat e moshës 25 deri në 50 vjeç.
Aliu tha se Fondacioni Humanitar Aksioni për Nëna dhe Fëmijë deri në fund të këtij viti do të përkujdeset për këtë projekt, ndërkaq më pas do të jetë komuna ajo që do ta vazhdojë.
Ajo paralajmëroi se në rast se ky projekt do të rezultojë i suksesshëm atëherë do të mendohet edhe për komunat tjera.