Tre persona janë shpallur fajtor dhe janë dënuar me burgim nga tre vjet secili për blerje, posedim, shitje dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, susbtancave psikotrope dhe analoge.
Gjykata Themelore e Prishtinës, përpos dënimit me burgim, të akuzuarit A.S., A.Th. dhe L.Th., i ka dënuar edhe me gjobë prej 1000 eurosh.
“Gjykata ka konstatuar se të akuzuarit pas marrëveshjes paraprake, në bashkëkryerje, kanë poseduar me qëllim shitje apo shpërndarje, substancat të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, në atë mënyrë që, me dt. 30.03.2017, rreth orës 11:30, gjatë bastisjes , në kulmin e shtëpisë së të akuzuarit A.S, e cila ndodhet në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, policia ka gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike të dyshuar si marihuanë, në peshë totale 57 kg., dhe 68.9 gram, e pas ekzaminimit të mostrave të substancës së dyshuar, është konstatuar se e njëjta përmban kanabis (marihuanë), me përmbajtje Tetrahidrokanabinol (THC)”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.