Nga viti i ardhshëm, rrugët e Kryeqytetit do të kenë korsi të veçantë vetëm për autobusë të Trafikut Urban. Kështu u tha në diskutimin e mbajtur organizata INDEP në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës (KSDË) 2024, raporton Ekonomia Online.
Diskutimet u fokusuan në nevojën për një zgjidhje të qëndrueshme për lëvizshmërinë e qytetarëve me një transport inovativ dhe me miqësor për mjedisin.
Gent Sejdiu, menaxher i projektit për reformën e transportit publik urban të komunës së Prishtinës, ka thënë se komuna ka hartuar Planin e Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban të Prishtinës, i cili parasheh reformat për këtë çështje.
Ai ka thënë se qeverisja ka bërë reforma në transportin publik, ku me këtë rast ka folur edhe për ndryshimet që priten që të bëhen nga viti i ardhëm, duke shtuar se nga viti 2025 disa rrugë në kryeqytet do të përdoren vetëm nga autobusët.
“Aktivitet që kemi mbajtur kanë qenë të koncentrua në tri fokuse: shfrytëzimi i transportit publik, lëvizja e lirë dhe çiklizmi. Në fokus kemi pasur vetëdijesim e qytetarëve, në fokus kanë qenë fëmijët. Ideja është që ne si fokus të përgjithshëm në nivel kombëtar të bëjmë sa më shumë investim tek fëmijët që të kuptojnë se pse duhet ta përdorin transportin publik, biçikletat. Qeverisja e re ka ndryshuar konceptin, ka bërë projekte për lëvizshmëri të qëndrueshme. Kemi bërë reforma në transportin publik, ku janë të përfshirë operatorët publik dhe privat. Biletat ditore nga 1 janari do të bëhet edhe për operatorët privat. Do të jetë edhe integrimi i biletave, që do të jenë ditore, javore e mujore që do të përdoren nga të gjitha operatorët, tjetra është digjitalizimi që do të jenë të monitoruar, digjitalizimi i biletave. Nga viti i ardhshme disa rrugë do të jenë të qasshëm vetëm për autobus”, ka thënë ai.
Edon Xharra nga ‘Raiffeisen Leasing’, ka thënë se nga viti 2022 kanë financuar 52 vetura elektrike të kompanite e Taxi në vend kështu duke kontribuar në mjedis të qëndrueshëm.
“Që nga viti 2022 kemi financuar mjaft projekte që kanë kontribuar në mjedis të qëndrueshëm. Që nga viti 2022 kemi financuar 52 vetura elektrike. Kemi financuar Taxi Tesla por edhe të tjera. Ka qenë një zhvillim mjaftë i mirë dhe kjo ka pësuar me financim edhe nga bankat e tjera. Gjithë industria bankare dhe jo bankare është kyçyr në këtë”, ka thënë ai.
Besmir Kokollari, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke folur për aktivitete dhe veprimet që kanë marr si ministri për këtë çështje, ka thënë se si qeveri kanë marr vendim që për veturat e reja të hiqet dogana dhe akciza, pasi këto pagesa janë hequr edhe për makineritë prodhuese të cilat janë më efikase.
“Qeveria për veturat e reja ka hequr doganën dhe akcizën për të zbritur emetimet e gazrave të dëmshme, gjithashtu qeveria e ka hequr doganën dhe akcizën për makineritë prodhuese të cilat janë me efikase në mbrojtjen e mjedisit”, ka thënë ai.
Drejtori i Operativës dhe menaxheri i Transportit në “Trafikun Urban”, Mentor Isufi, ka thënë se si pikë kryesor për ta është rritja e flotës me autobus duke përfshirë edhe autobus elektrik.
“Ne kemi menduar si piken kryesore e kemi rritjen e flotës me 6 autobus elektrik. Ne kemi pak telashe për shkak se nuk kemi autobus të mjaftueshme për të ju përgjigjur kërkesave të qytetarëve. Me ardhjen e 30 autobusë kemi planifikuar edhe zgjerimin e linjave. Tjetra është vetëdijesimi i qytetarëve. Problemi kryesor në kryeqytet është se nuk ka korsi të veçantë për autobus, 50 për qind do të ulet përdorimi i veturave”, ka thënë ai.
Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës (KSDË) 2024 aspiron të krijojë strategji dhe zgjidhje gjithëpërfshirëse që adresojnë natyrën e shumanshme të zhvillimit të qëndrueshëm, duke nxitur përparim domethënës në mbrojtjen dhe menaxhimin e burimeve natyrore të Kosovës për gjeneratat aktuale dhe të ardhshme.