1 mijë e 67 pacientë janë trajtuar në Klinikën Emergjente të QKUK-së vetëm gjatë dy ditëve të fundjavës, ndërsa vetëm 86 prej tyre kanë vazhduar trajtimin në klinikat e QKUK-së.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka thënë se numri i pacientëve është jashtëzakonisht i lartë krahasuar me vitet e kaluara.
“Për dy-tre muajt e fundit janë kaluar të gjitha normat e mundshme”, ka deklaruar Syla, raporton Klan Kosova.
Sipas drejtuesve të Emergjencës, fluksi i madh lidhet edhe me mungesën e Spitalit të Prishtinës dhe shfrytëzimin e pamjaftueshëm të shërbimeve të kujdesit parësor dhe spitaleve rajonale.
Për përballimin e ngarkesës, deri më tani janë angazhuar me pagesë 12 specialistë të emergjencës për kujdestari.