Viti 2019, ishte karakterizuar me shumë ngjarje të rëndësishme në Kosovë.
Dinamika politike kishte nisur që në janar, pasi Qeveria Haradinaj ishte ballafaquar me grevat e mësimdhënësve. Muaj më vonë pastaj shkarkimet e ministrave serbë, ai i ministrisë së Bujqësisë, Nenad Rikallo, si dhe ministrin e Administratës së Pushtetit Lokal nga komuniteti serb, Ivan Teodosijeviq.
Por, lajmi që nuk pritej aspak ishte dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj, në muajin korrik.
Ai në një konferencë për medie pas një mbledhjeje të qeverisë, kishte thënë se është i ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar dhe se atje nuk dëshiron të paraqitet si “përfaqësues” i popullit të Kosovës.
Po ashtu në dhjetor, kreu i PDK-së, Kadro Veseli merr ftesë nga Gjykata Speciale për t’u paraqitur në Hagë, për intervistim….
Ju sjellim, 20 ngjarjet më të rëndësishme që e karakterizuan vitin që e lamë pas.
Janar – Greva e SBASHK-ut
Për shkak te pakënaqësive rreth koeficientëve, institucionet arsimore në Kosovë të të gjitha niveleve hynë në grevë të përgjithshme.
Revolta e mësimdhënësve nisi në janarin e këtij viti, kur ata përmes grevave kërkuan që koeficienti i pagës të rritet në një nivel “dinjitoz”, 30 për qind, ndërkohë që krerët e shtetit i kishin dyfishuar pagat e tyre pavarësisht obligimeve parazgjedhore që kishin marrë në raport me mësimdhënësit.
Greva e cila vazhdoi për tre javë dhe u ndërpre pasi u pajtuan për një marrëveshje “shumë afër kërkesave” me autoritetet përkatëse.
Lidhur me grevën e SBASHK-ut, pati reagime të ndryshme institucionale si dhe nga shoqëria civile.
Shkurt – Shkarkohet Nenad Rikallo
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte shkarkuar, nga detyra ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo. Shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ishte vënë kusht PSD-ja me qëllim që ta votonte Buxhetin e vitit 2019.
Rikallo u akuzua nga disa banorë të lagjes ‘Dardania’ se ka torturuar gjatë luftës studentë e shqiptarë.
Nenad Rikallo, vetëm disa ditë pasi është shkarkuar nga posti io ministrit, ishte emëruar sekretar Shteti në Ministrinë e Bujqësisë të Qeverisë së Serbisë.
Mars – Miratohet Platforma për Dialogun me Serbinë
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Platformën për Dialogun me Serbinë për marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Për Platformën votuan 61 deputetë, ndërsa kishte vetëm një votë të përmbajtur. Deputetët e partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në debatin për Platformën, e as nuk kanë votuar.
Mars – Miratohet Projektligji për ndalimin e Lojërave të Fatit
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndalimin e lojërave të fatit. Sipas projektligjit ndalohen të gjitha lojërat e fatit me përjashtim të Lotarisë së Kosovës dhe shfuqizohet Ligji për Lojërat e Fatit dhe aktet nënligjore që janë nxjerrë për zbatimin e tij.
Vendimi erdhi disa ditë pasi u kryen vrasje në kazino në Suharekë dhe në Lipjan.
Prill – Shkarkohet ministri
Kryeministri Ramush Haradinaj shkarkon ministrin e Administratës së Pushtetit Lokal nga komuniteti serb, Ivan Teodosijeviq, vendim i cili sipas kryeministrit, u mor pasi “Teodosijeviq kishte shprehur gjuhë të urrejtjes dhe ka fyer viktimat e Reçakut”.
Në Zveçan, gjatë një organizimi për të shënuar 20 vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, përfaqësuesi i Listës Serbe, Ivan Teodosijeviq, ka thënë se arsye për “agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.
“Ishin ata shqiptarët terroristë qe e kanë trilluar këtë dhe që kanë bërë krimet më të rënda në Kosovë për të cilat askush deri më sot nuk është përgjigjur”, ka thënë Teodosijeviq.
Në muajin mars, kryeministri Haradinaj kishte shkarkuar zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, pasi ajo kishte deklaruar se bombardimet e NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.
Muaji Prill – Formalizohet nisma për tribunal për krimet e Serbisë
Kuvendi i Kosovës ka votuar për formimin e një komisioni të veçantë “i cili do të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm deri në krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar që do t’i gjykojë krimet serbe në Kosovë”.
Veseli: Ideja e krijimit të një Tribunali Ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë, është në nderin dhe dinjitetin e Kosovës.
Prill – 110 kosovarë kthehen nga Siria në Kosovë
Personat e kthyer në mënyrë të organizuar janë familjarë të atyre të rinjve nga Kosova që shkuan në zonat e konfliktit në Siri për të luftuar për të ashtuquajturin, “Shteti Islamik”, IS.
Kthimi i tyre u bë nga Turqia me një aeroplan që mbante flamurin amerikan. Qytetarët e kthyer janë gra dhe fëmijë të luftëtarëve shqiptarë që ishin të përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme përkrah IS-it. Në mesin e të kthyerve ishin edhe katër ish-luftëtarë të IS-it.
Maj – Shpallen zgjedhjet për kryetarë në 4 komuna me shumicë serbe në Kosovë
Pas një vendimi të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në 4 komuna me shumicë serbe u mbajtën më 19 maj.
Katër kryetarët e këtyre komunave, më 27 nëntor të vitit 2018, kanë dhënë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia.
Maj – Policia e Kosovës bastisi 12 lokacione, kryesisht në veri të Kosovës
Policia arrestoi 19 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të dyshuar për përfshirje në vepra penale si “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, “kontrabandim me mallra”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit” dhe “tregti e ndaluar”. Të arrestuarit e dyshuar ishin 11 të komunitetit serb dhe nga katër të komunitetit shqiptar dhe boshnjak.
Qershor – Bill Clinton dhe Madeline Albright erdhën në Prishtinë për të shënuar 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës
Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit, Madeline Albright, qëndruan në Kosovë me rastin e shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të vendit. Presidenti Hashim Thaçi ndau medaljen “Urdhri i Lirisë” për ish-presidentin Clinton.
Albright rrëfeu për një premtim që ajo ua kishte bërë para 20 vjetësh refugjatëve nga Kosova të cilët ishin larguar nga shtëpitë e tyre dhe ishin vendosur në Maqedoni.
Clinton tha se është nderë më i madh në jetën e tij që kam qëndruar me popullin shqitar kundër spastrimit etnik.
Qërshor – Gjykata e shpall jo-kushtetues Ekipin Negociator për bisedime me Serbinë
Ekipi Negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë është shpallur jokushtetues nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Gjykata ka vendosur në favor të lëndës së parashtruar nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje me të cilën kontestohet jo kushtetues Ligji për Delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë.
Korrik – Kryeministri Kosovës, Ramush Haradinaj jep dorëheqje
Lajmin për dorëheqje e kishte bërë të ditur vet Haradinaj në një konferencë për medie pas një mbledhjeje të qeverisë, duke thënë se është i ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar dhe se atje nuk dëshiron të paraqitet si “përfaqësues” i popullit të Kosovës.
Pas kësaj pati reagime të ndryshme, pasi vendi duhej të shkonte në zgjedhje të jashtzakonshme. Me votat e 88 deputetëve të Kuvendit të Kosovës u shpërnda Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, seancë e cila u thirr me kërkesë të 98 deputetëve.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në bazë të përgjegjësive të tij kushtetuese dhe ligjore, shpalli 6 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Tetor – Me 6 tetor mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në gjithë territorin e Kosovës.
Një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Komisioni Qëndror Zgjedhor, ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Sipas rezultatit final të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet, pas tyre radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Tetor – Protestë, cmimit Nobel në Letërsi
Në Prishtinë protestohet para Ambasadës së Suedisë kundër dhënies së Çmimit Nobel shkrimtarit austriak Peter Handke, mbështetësit të Slobodan Millosheviqit.
Protesta u përcjell me disa fotografi të masakrave gjatë luftës së vitit 1999 në vend, të urdhëruara nga Millosheviç në Kosovë.
Tetor – Ekspertiza nga Zvicra për vdekjen e aktivistit Astrit Deharit
Prokuroria Themelore në Prizren pranoi ekspertizën nga Zvicra për vdekjen e aktivistit Astrit Deharit dhe deklaroi se “një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit”.
Kuvendi i Kosovës, kishte diskutuar për këtë rast duke e inkurajuar Prokurorinë që ekspertiza të dërgohej jashtë Kosovës. Me 17 maj, 2017, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri kishte konfirmuar para Kuvendit se kjo lëndë do të dërgohej në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.
Nëntor – Takimi Thaçi – Vuçiq, në Paris
Presideni francez, Emmanuel Macro takon në Paris, homologët e tij nga Kosova e Serbia, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq në kuadër të Forumit të Paqes së Parisit.
Forumi ishte inicuar për të bërë bashkë protagonistë të qeverive e të qeverisjes nga e tërë bota dhe për të diskutuar ruajtjen dhe forcimin e paqes në botë.
Në takim u fol edhe për vijimin e dialogut, për të cilin Thaçi pati thënë se konfirmon rolin e ri që presidenti i Francës do të ketë në këtë proces.
Nëntor – Tërmeti, FSK niset në Shqipëri për të ndihmuar në zonat e dëmtuara nga tërmeti
Me urdhër të presidentit të Kosovës, njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) u nisën. Më vonë gjatë ditës edhe njësite të tjera të kërkim-shpëtimit u nisën nga Kosova në Shqipëri, e gjithashtu një numër i lartë qytetarësh filluan menjëherë mobilizimin për të ndihmuar të prekurit e tërmetit.
Pas kësaj, shumë ndihma u dërguan në Shqipëri. Poashtu përvec solidaritetit për popullin shqiptar andej kufirit, u dërguan dhe mjete financiare, ushqim, vesh mbathje etj.
Dhjetor – Aktakuzë ndaj 6 personave për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmon se ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave në lidhje me vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Ivanoviq u vra para zyrës së partisë së tij “Liria, Demokracia, Drejtësia”, në janar të vitit 2018 në veri të qytetit të Mitrovicës e banuar më shumicë serbe.
Dhjetor – PISA
Kosova prapë është radhitur ndër të fundit në testin ndërkombëtar PISA 2018.
Sipas rezultateve të OECD, në lexim, matematike dhe shkencë Kosova radhitet në vendin e 3 nga fundi. Kosova, ka lënë mbrapa vetëm Republikën Domenikane dhe Filipinet.
Kosova është në vendin e 76 nga gjithsej 78 vendet pjesëmarrëse derisa Shqipëria ndodhet në vendin e 62.
Dhjetor – Kadri Veseli intervistohet në Hage
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i përgjigjet thirrjes nga Gjykata Speciale në Hagë ku shkoi dhe u intervistua, duke e quajtur këtë si “moment vendimtar për të rikonfirmuar pastërtinë e luftës së popullit tonë, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“E kam përfunduar intervistën. Vitet 90’ta kanë qenë vite të rënda për popullin tonë, një nënshtrim para Serbisë për spastrim etnik, dmth për gjenocid kundër popullit tonë. Ne iu kemi kundërvënë, Lëvizja jonë çlirimtare ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përballje me gjenocidin serb. Lufta e UÇK-së ka qenë përballje me spastrimin etnik, të cilën ka synuar Serbia ta bëjë në Kosovë”, ka thënë Veseli në këtë video-mesazh.
Para tij, në këtë Gjykatë ishte ftuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili pas marrjes së ftesës kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit./Telegrafi/