Ngritet aktakuzë ndaj ish-deputetit të LDK-së, dyshohet për keqpërdorim të votave

Prishtinë | 29 Dhj 2022 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 14 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave.

Shtatë prej tyre akuzohen për veprat penale: Keqpërdorim i të drejtës së votimit e sanksionuar dhe Vjedhja e identitetet dhe pajisja e qasjes, kurse një person akuzohet për veprën penale Kanosje.

Në mesin e të akuzuarve është edhe Shkumbin Gashi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, mëson Paparaci.

Të pandehurit akuzohen se gjatë zgjedhjeve të datë 14 shkurt 2021, kanë keqpërdorur të drejtën e votimit duke votuar në emër të qytetarëve të cilët jetojnë në Austri, duke keqpërdorur sistemin e votimit me postë. Hetimet kanë zbuluar se të pandehurit kanë keqpërdorur kopjet e letërnjoftimeve dhe të drejtën e votës për 71 qytetarë të cilët jetojnë në Austri, duke votuar në emër të tyre në procesin zgjedhor.

Ky veprim kriminal i grupit të të pandehurve ka pasur për qëllim sigurimin e votave për kandidatin – të pandehurin Sh. G., megjithatë, i njëjti nuk ka siguruar vota të mjaftueshme për të marr mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës.

Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

Të ngjashme